PDK i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për vendimet e MSh-së për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve

Partia Demokratike e Kosovës, së bashku me deputetë të tjerë të partive të tjera kanë mbledhur nënshkrimet dhe kanë nisur një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimeve të marra nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me masat e reja të vendosura kundër coronavirus.

Deputetja e PDK-së, Besa Ismaili, para gazetarëve tregoi se kanë gjetur shkelje në vendimet e marra nga ana e ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Sot kam parashtruar kërkesësn në emër të ¼ të deputetëve të Kosovës. Çështja që kemi ngritur është çështja e përputhshmërisë së vendimeve të ministrit në dorëheqje të Shëndetësisë Arben Vitia në lidhje me kushtetueshmërinë e vendimeve me Kushtetutën e Kosovës. Ne pretendojmë se ka dy shkelje, të lirisë së lëvizjes, neni 35 dhe 55 i cili përkufizon qartësisht se këto vendime që përkufizojnë lëvizjen e njeriut nuk i takojnë qeverisë”, tha Ismaili.

Ajo shtoi se kryeministri në detyrë Albin Kurti pas vendimit të parë të Gjykatës Kushtetuese, detyrat ia delegoi ministrit Vitia që të vazhdonte me shkeljet e radhës.

“Para kësaj ne kemi pasur një aktvendim të qartë të Gjykatës Kushtetues dhe kryeministri në dorëheqje Albin Kurti ka vazhduar të mos e espektoj atë vendim dhe këto shkelje tia delegoj ministrit të shëndetësisë dhe më pas ai ka vazhduar me zbatimin e të tjera vendimeve që pretendojmë se janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, shtoi Ismaili.

Më 13 prill Ministria e Shëndetësisë  ka marrë vendim që qytetarët mbi moshën 16-vjeçare, nga data 15 prill  do të kenë të drejtë qarkullimi vetëm një orë e gjysmë në ditë. E koha e tyre e daljes jashtë shtëpive do të përcaktohet në bazë të numrit të parafundit personal.

Masat tjera të Ministrisë së Shëndetësisë të vendosur për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVId-19 mund t’i lexoni në linkun më poshtë.

Ministria e Shëndetësisë ashpërson masat e lëvizjes së qytetarëve