PDK heq nga lista kandidatin që nuk e ka kaluar verifikimin

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do ta respektojë vendimin e KGJK-së, duke larguar nga lista kandidatin që nuk i plotëson kushtet e parapara, sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të publikuar në dhjetor të vitit 2020.

“Partia Demokratike e Kosovës ka ndjekur gjithmonë praktikën e moskandidimit të personave të dënuar apo të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Kjo praktikë do të vazhdojë edhe në këto zgjedhje, pavarësisht lëshimit që është bërë në listën e dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit”, është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.

Tutje kjo parti thotë se respekton çdo vendim të institucioneve përgjegjëse dhe fton të gjitha subjektet politike në Kosovë, që të bëjnë fushatë të dinjitetshme, duke e respektuar procesin zgjedhor.

Të mërkurën KGjK njoftoi se në 15 parti politike, nga 28 sa garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit, kanë kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin.

Gjithashtu, ky institucion i drejtësisë evidentoi 47 emra të kandidatëve nga 1 mijë e 80 sosh, aq sa i kanë hyrë garës për të siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës.