Selia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Foto: Valon Fana/ KALLXO.com

PDK gjobitet me 8 mijë euro, dy deputete publikuan video të realizuara në hapësirat e Kuvendit

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka pranuar dy ankesa nga Lëvizja Vetëvendosje ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, pas të cilave PZAP ka dënuar PDK-në me 8 mijë euro gjobë.

Ankesa e LVV-së ishte se kandidatja e PDK-së për deputete, Blerta Deliu-Kodra, ka postuar në llogarinë e saj në Facebook një video me tekst shoqërues, të realizuar në hapësirën e brendshme të Kuvendit të Kosovës në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Zgjedhjet.

Për këtë rast, PZAP ka pranuar ankesën e LVV-së dhe ka gjobitur PDK-në me 4 mijë euro.

Partia Demokratike e Kosovës, e gjobitur në këtë rast, ka kundërshtuar ankesën duke thënë se kandidatja për deputete Blerta Deliu-Kodra këtë video e ka realizuar dhe publikuar më 13.12.2024, respektivisht një ditë pas publikimit të listave për deputetë të subjekteve politike, i cili veprim sipas PDK-së në asnjë mënyrë nuk përbën shkelje.

Po ashtu, LVV është ankuar për të njëjtën arsye edhe për kandidaten për deputete Ariana Musliu-Shoshi.

Edhe për rastin e deputetes Musliu-Shoshi, PZAP e ka gjobitur PDK-në me 4 mijë euro

Lidhur me ketë rast, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga PZAP që ankesën ta refuzojë si të pabazuar me pretendimin se deputetja Ariana Musliu-Shoshi këtë fotografi/video e ka realizuar në ambientet e jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Për me tepër, fotografia/video e Ariana Musliu Shoshi është realizuar shumë kohë me parë (më datë 31 dhietor 2024 dhe kjo mund te dëshmohet nga kamerat e sigurisë se Kuvendit) dhe jo pas fillimit të fushatës zgjedhore, respektivisht me date 17 janar 2025, sic pretendohet nga ana e ankuesit”- thuhet në përgjigjen e PDK për PZAP.

PDK ka afat prej 15 ditësh që t’i paguajë gjobat.