Kadri Veseli, Foto: PDK

PDK gjobitet me 3.100 euro për shkeljet gjatë ditës së votimit

Partia Demokratike e Kosovës është gjobitur me 3 mijë e 100 euro në dy raste të ndara, nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Ankesa e organizatave BIRN dhe Internews Kosova ka rezultuar me gjobë 1 mijë e 500 euro për PDK-në pasi që në ditën e zgjedhjeve pranë shkollës ‘Hamëz Jashari’ në Skenderaj është parë një veturë me material propagandues elektoral të kësaj partie.

Këtë ankesë PDK-ja e ka konsideruar si të pabazuar, për faktin se sipas fotos nga ankuesi nuk shihet qartë se pranë veturës së ndalur është shkolla dhe që sipas tyre, nuk ka fakte se aty është një objekt apo ndërtesë publike.

Por që, PZAP e ka vlerësuar si të bazuar me arsyetimin së vetura me material propagandistik është në afërsi të vendvotimit, dhe se objekti afër veturës është vendvotim. Kjo, sipas tyre, vërtetohet më faktin së shihen njerëzit duke pritur në radhë për të votuar.

Dënimi i dytë i shqiptuar ndaj PDK-së është gjobë 1 mijë e 600 euro.

PZAP e ka vlerësuar të bazuar ankesën e BIRN dhe INK pasi që në ditën e votimit në afërsi më pak se 100 metra afër qendrës së votimit në shkollën fillore ‘Rasim Kiçina’ në Drenas kanë vendosur posterin e kandidatit për deputet, Gani Halili.

Edhe këtë ankesë PDK e ka konsideruar të pabazuar. Në përgjigje. kjo parti është arsyetuar se distanca e fotos nga shkolla është më e madhe se 300 metra. Më tutje ka theksuar së në bazë të provave-fotografive nuk shihen institucionet publike.

Si rrjedhojë, PZAP ka vërtetuar së posteri i Halilit ka qenë afër shkollës fillore ashtu siç e kishin adresuar ankesën organizatat BIRN dhe Internews Kosova.

Ankesat e BIRN dhe Internews Kosova, PZAP gjobit me 138 mijë euro partitë politike

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka pranuar si të bazuara 23 nga 53 ankesat e parashtruara nga BIRN dhe Internews Kosova, gjatë fushatës zgjedhore.

Shuma totale e gjobave të shqiptuara nga këto ankesa ndaj partive politike është 138 mijë e 200 euro.

Më së shumti nga ankesat e BIRN dhe Internews Kosova deri me tani është ndëshkuar koalicioni AAK-PSD.

Shuma me të cilën është gjobitur ky koalicion është 57 mijë e 100 euro, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës e cila është ndëshkuar me 30 mijë e 900 euro dhe Lista Serbe e cila deri me tani është ndëshkuar me 30 mijë euro.

Lidhja Demokratike e Kosovës është ndëshkuar me 16 mijë e 600 euro, ndërsa koalicioni Nisma-AKR-PD, me 2.500 euro.

Ankesave të BIRN dhe Internews Kosova nuk i ka shpëtuar as partia ‘Pokret Za Gora’, ajo është ndëshkuar me 1.100 euro.

Që nga fillimi i fushatës zgjedhore dhe deri me sot BIRN dhe Internews Kosova në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), kanë parashtruar 108 ankesa, 53 nga to kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore, ndërsa 55 me thyerjen e heshtjes zgjedhore.