Abelard Tahiri, Foto: PDK

PDK fton të gjithë deputetët që ta mbështesin formimin e Komisionit Hetimor për energjinë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mbështesin formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike në vend.

“Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij, që të ndalojnë pengimin e formimit të Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili do të zbardhë para opinionit publik shpenzimin e parasë së qytetarëve të Kosovës dhe lidhjet potenciale të “Kartelit të Rrymës” me Qeverinë e Kosovës gjatë krizës energjetike”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se një hetim parlamentar, transparent dhe i hapur, ku do të përfshiheshin deputetët e pozitës dhe opozitës, tanimë është interes kombëtar.

“Ky Komision Hetimor Parlamentar do të monitorohet nga ekspertë e anëtarë të shoqërisë civile dhe mediat, ku të gjithë do të shohin se ku, si dhe kujt u janë dhënë mbi 100 milionë euro të taksave të qytetarëve dhe si ndodhi që krahas shpenzimit të mbi 100 milionë eurove qytetarëve të Kosovës sërish u ngrit çmimi i energjisë elektrike për më shumë se 100 përqind”, thuhet në komunikatë.

PDK po ashtu ka ripërsëritur shkarkimin e ambasadorit, Martin Berishaj.

“Krahas hetimit të plotë parlamentar, Partia Demokratike e Kosovës kërkon që presidentja dhe kryeministri të veprojnë me urgjencë për ta larguar nga detyra ambasadorin Martin Berishaj dhe për të zbardhur deri në detaje përfshirjen e tij në “Kartelin e Rrymës”, ndërlidhjet me kompaninë energjetike GEN-I me adresë në Serbi, si dhe për të zbuluar arsyet e fshehjes së deklarimit të pasurisë nga ana e tij”, thuhet më tej në njoftin.

Dje, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka thënë se kjo parti do të kërkojë debat parlamentar për çështjen e blerjes së energjisë.

Në seancën e mbajtur më 19 prill në Kuvendin e Kosovës nuk kishte kaluar mocioni procedural për të futur në rend të ditës formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK e kishin lëshuar seancën duke deklaruar se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim deri në formimin e këtij komisioni.