PDK fton qeverinë ta heq akcizën në naftë dhe ta zbresë TVSH-në nga produktet esenciale

Partia Demokratike e Kosovës përmes një konference për media i ka bërë thirrje qeverisë që të reagoj urgjentisht në raport me krizën ekonomike në vend.

Blerand Stavileci nga PDK ka akuzuar qeverinë e Kosovës, duke thënë se është e vetmja qeveri në botë që nuk e pranon se ka krizë ekonomike.

“Rëndimi i firmave kosovare me vendime të paqëndrueshme arbitrare zvogëlon të hyrat për to dhe ka efekt direkt në shkurtimin e vendeve të punës dhe rritjen e papunësisë. Papunësia krijon pasiguri. Papunësia dhe pasiguria prodhojnë kriza familjare, sociale dhe psikologjike, e krizat familjare, sociale dhe psikologjike, po prodhojnë ikjen dhe po shtojnë radhët rekorde të ikjeve para ambasadave të huaja”, ka thënë Stavileci.

Ai ka thënë se krahas pandemisë dhe krizës energjetike, armiku numër një për të gjitha familjet, punëtorët dhe firmat është bërë inflacioni.

“Si asnjëherë pas luftës në Kosovë, inflacioni është ngritur në 14.1%. Me këtë përqindje, Kosova është në mesin e shteteve që i prijnë listës në nivelin global”, ka theksuar Stavileci.

Sipas Stavilecit familjet nuk po kanë asnjë pako lehtësuese për përballim të krizës, punëtorët nuk po kanë asnjë ngritje të pagës, si dhe firmat kosovare nuk gëzojnë asnjë lloj skeme mbështetëse.

Ndërsa, Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa, ka thënë se ritmi me të cilin po zhvillohet inflacioni në Kosovë paraqet një shqetësim shumë serioz për ekonominë e vendit.

“Refuzimi për të përdorur instrumentet fiskale në dispozicion të Qeverisë, siç janë akciza dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, ka krijuar kushtet që inflacioni të përshpejtojë ritmin e rritjes. Zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, përfshirë edhe zhvlerësimin e valutës euro ndaj dollarit amerikan, sugjerojnë se kriza e inflacionit vetëm sa do të shkojë duke u përkeqësuar”, tha Mustafa.

Sipas Mustafës, Qeveria nuk duhet të humbë kohë më tutje duke improvizuar me masa, por kërkohet që urgjentisht ta ushtrojë rolin që i takon, duke shfrytëzuar politikën fiskale për të ndikuar në frenimin e rritjes së çmimeve.

“Është nevojë urgjente dhe e domosdoshme që të bëhet lirimi nga TVSH-ja e mallrave esenciale të konsumit për një periudhë të caktuar dhe të largohet akciza dhe të zbritet TVSH-ja në produktet e naftës, po ashtu për një periudhë të caktuar kohore”, ka thënë ai.