Blerta Deliu-Kodra n senc

PDK: Ftojmë Prokurorinë që të hetojë aferat korruptive në Ministrinë e Infrastrukturës

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra, ka deklaruar se pretendimet e PDK-së se Ministria e Infrastrukturës ka lidhur 42 kontrata për punë shtesë dhe disa kontrata një burimore, janë konfirmuar nga raporti i  Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Sipas Deliu Kodrës, ZKA ka gjetur një mal me parregullsi në këtë ministri.

“Tre muaj më pas pretendimet tona për paligjshmëri e korrupsion u konfirmuan edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit e cila ka gjetur një mal me parregullsi në këtë ministri e për më keq raporti i saj është i kualifikuar”, ka thënë Deliu Kodra.

PDK ka ftuar Prokurorinë e Shtetit që të fillojë hetimet në Ministrinë e Infrastrukturës duke shtuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të marrë masa për të shkarkuar ministrin Aliu dhe zëvendëskryeministrin Durmishi.

“PDK fton Prokurorinë e Shtetit që të veprojë pa humbur kohë, t’i hetojë këto afera në këtë ministri dhe të zbardhë të vërtetat të cilat zyrtarët e kësaj Qeverie i kanë mohuar madje të njëjtit nuk i kanë pranuar”, u shpreh Deliu Kodra.

“Një raport i ZKA-së është bazë kryesore, e mjaftueshme dhe e vetme që Prokuroria të veprojë, e kryeministri të merr masa të shkarkojë ministrin Aliu dhe zëvendësministrin Durmishi”, shtoi ajo.

Tutje, Deliu Kodra ka përmendur disa nga gjetjet nga raporti i ZKA-së.

“Janë gjetur mangësi të mëdha në vlerësimin e kompanive konkurruese për tender, realizimi i shërbimeve jashtë kontratës, tejkalim i pagesës për pagesa publike, vonesa në realizimin e projekteve e dallavere të mëdha në shpronësime. Këto janë disa nga gjetjet kryesore të auditorit në Ministrinë e Infrastrukturës që drejtohet nga Liburn Aliu”, tha Deliu Kodra.

PDK pretendon se Ministria e Infrastrukturës keqpërdori 9 milionë euro dhe lidhi 42 kontrata njëburimore