Selia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Foto: Valon Fana/ KALLXO.com

PDK: Emërimi i financuesit të LVV-së drejtor i tri televizioneve e shndërron RTK-në në megafon të Kurtit

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka miratuar propozimin për zgjedhjen e Rilind Gërvallës drejtor të televizioneve RTK 1, RTK 3 dhe RTK 4.

Rilind Gërvalla ka qenë donator i Lëvizjes Vetëvendosje sipas raportit vjetor financiar të vitit 2020, ndërsa i njëjti është parë edhe në fotografi me anëtarë të kësaj partie dhe në mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm në vitin 2020.

Për këtë ka reaguar edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke e quajtur ‘kapje të institucioneve publike’ emërimin e Rilind Gërvallës.

“Në vazhdën e kapjes së secilit institucion të pavarur në Kosovë, kryeministri Albin Kurti në koordinim të ngushtë me partneren e tij, presidenten Vjosa Osmani, tash e disa muaj kanë nisur instalimin e militantëve të tyre në Radio Televizionin Publik të Kosovës”- thuhet në reagimin e PDK-së. 

PDK ka thënë se nëpërmjet kapjes së Radiotelevizionit publik të Kosovës me militantë partiakë pushteti po synon kapjen e mendjes së qytetarëve nga e cila frikësohen më së shumti.

“Me këto emërime, RTK nuk do të jetë më në shërbim të publikut, por do të përdoret si  megafon i Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, ndërsa militantët që do ta drejtojnë RTK-në, do të marrin urdhra nga ideologët dhe propaganduesit e tyre partiak”- thuhet në postimin e PDK-së.

Financuesi i Vetëvendosjes zgjidhet drejtor i kanalit në gjuhën shqipe RTK1, 3 dhe 4