Foto: PDK-Skenderaj

PDK e Skenderajt ushtron ankesë në Polici e PZAP ndaj deputetit të saj, Bekim Haxhiu

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Skenderaj, ka ushtruar ankesë ndaj deputetit të vetë, Bekim Haxhiu.

Haxhiu, gjatë një tubimi elektoral përkrah kandidatit të pavarur, Bekim Jashari, në njërin prej fshatrave të komunës së Skenderajt në një video të publikuar nga “koha.net” dëgjohet duke thënë se “kanë me u regjistru edhe në KQZ, me katund, me bashkësi lokale kush me kënd u kanë. Vallahi me shpi ka me u ditë. Kush u kanë me Jasharët, me Bekim Jasharin e kush kundër tyre u kanë”.

E, këtë po e konsideron si të papranueshme kandidati i PDK-së për kryetar të Skenderajt, Fadil Nura.

“Po, jemi ankuar në Polici dhe PZAP. Është shkelje direkte e kodit zgjedhor dhe e parimeve bazë të së drejtës së votuesit, është cenim direkt i të drejtës elementare të votuesit”, deklaroi Nura për KALLXO.com.

Ai tha se deklarimet e tilla janë kërcënim direkt për votuesit.

“Ne të gjitha faktet ia kemi bashkangjitur dosjes dhe shkresave të lëndës. Ky është kërcënim direkt, madje vepër penale, qytetari nuk ndohet i lirë me votua. Me deklru kështu një deputet, është rast unik”, tha ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiu, për të marrë një reagim, por ai ende nuk ka kthyer një përgjigje.