Avni Bytyqi PDK - FOTO PDK

PDK e quan ‘të parëndësishëm’ propozimin e Vjosa Osmanit për qeveri transitore

Partia Demokratike e Kosovës e ka quajtur të parëndësishëm propozimin e kryetares së Kuvendit të Kosovës, njëherazi nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, për qeveri transitore me ministra teknikë.

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, ka thënë për KALLXO.com se “konflikti” i Osmanit me partinë e saj LDK-në për ta është i parëndësishëm.

“Si zëdhënës i PDK-së po të them se ne nuk kemi koment lidhur me deklaratën e zonjës Osmani. Për neve është i parëndësishëm propozimi i zonjës Osmani. Konflikti që e ka ajo me partinë e vet për neve është i parëndësishëm”, tha Bytyçi për KALLXO.com.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka thënë se zgjidhja më e mirë në këtë moment do të ishte unifikimi i skenës politike rreth një figure apartiake në mënyrë që qeveria e re të mos varet nga votat e Listës Serbe.

Ajo ka përsëritur edhe njëherë se zgjedhjet e reja do të legjitimonin institucionet e reja.

Osmani ka thënë për KALLXO.com se në këtë moment për Kosovën opsioni më i mirë do të ishte “një qeveri transitore me mandat 6-9 muajsh, e drejtuar nga një figurë unifikuese dhe me ministra teknikë”.

“Një ide e tillë do të funksiononte vetëm nëse do të pajtoheshin të gjithë sepse do të kërkonte konsensus rreth një figurë unifikuese jopartiake. Pra që nuk varet nga Lista Serbe dhe parandalon agjendën për ndryshim kufijsh. Prandaj interpretimet tendencioze se kjo është kundër dikujt nuk qëndrojnë. Unifikimi asnjëherë nuk e ka dëmtuar Kosovën por vetëm e ka shtyre përpara atë”, ka thënë Vjosa Osmani në një përgjigje për KALLXO.com.

“Për më tepër e kam sqaruar që vazhdoj të mendoj që vetëm zgjedhjet i risjellin institucioneve legjitimitet”, ka thënë tutje ajo.

E para e legjislativit kosovar ishte kundër rrëzimit të Qeverisë së Albin Kurtit. Ajo, ishte edhe kundër dekretit të Presidentit Thaçi, i cili kërkoi që Avdullah Hoti ta formojë ekzekutivin e ri në vend.

Kurse, PDK-ja javë më parë ka deklaruar se nuk do të bëhet pjesë e qeverisë së re, duke kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme pas pandemisë.

Sot pasdite ka nisur mbledhja e Kryesisë së LDK-së, në të cilën pritet të vendoset për emrat nga LDK-ja të ministrave të Qeverisë Hoti, e cila pritet të votohet nesër në ora 11:00.

LDK deri më tani ka arritur marrëveshje për bashkëqeverisje me AAK-në, Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe dhe pritet të marrë mbështetjen edhe të partive të tjera joserbe.