PDK e quan ‘eksperimentim të pakuptimtë’ subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore
Partia Demokratike e Kosovës e ka kritikuar vendimin e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që librat shkollorë të blehen me metodën e njëjtë sikurse vitin e kaluar.
Në një konferencë për media, nënkryetarja e PDK-së, Besianë Musmurati tha se ky është një eksperiment që po vazhdohet nga Nagavci, për shkak të “mungesës së saj të thellë të kompetencës”.
“Çdo vit shkollor po e gjen ministren dhe Qeverinë të papërgatitur” – tha ajo.
Musmurati theksoi se kjo metodë vonon furnizimin me libra dhe është tri herë më e kushtueshme, krahasuar me atë të vitit 2017.
“Ministres nuk po i bëhet vonë. Po i përsërit gabimet që të shpenzohen 20 milionë euro për librat që në vitin 2017 janë blerë me rreth 3.5 mjlionë euro” – shtoi nënkryetarja.
Ajo tha se në konferencën e Ministres Nagavci është përmendur se ka pasur prindër që nuk janë rimbursuar deri në maj të këtij viti.
Nënkryetarja e PDK-së pyeti nëse këtë vit është shpallur tender për blerjen e librave dhe nëse po, cilat kanë qenë çmimet e ofertuara.
“Vitin e kaluar Qeveria i mori fondet nga projekti i digjitalizimit të arsimit, pra për me ble libra më shtrenjtë, qeveria sakrifikoi digjitalizmin. Cfarë projekti kanë me ndalu sivjet për me i ble librat?” – pyeti ajo.
Lajmi i vetëm i mirë, sipas PDK-së, është se zgjedhjet janë afër.
Musmurati tha se Komisioni hetimor parlamentar duhet të vazhdojë punën pa ndërhyrje të partisë në pushtet.
Ministrja Nagavci njoftoi dje (13.08.2024) se edhe këtë vit shkollor do të subvencionohet blerja e librave ngjashëm si në vitin e kaluar shkollor 2023/2024, për prindërit që aplikojnë përmes platformës e-Kosova.
Ky vendim u konsiderua i gabuar edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) dhe partitë e tjera opozitare.
Lidhur me subvenciminin e librave për vitin e kaluar shkollor janë ngritur dyshime nga opozita në Kuvendin e Kosovës.
Për këtë qëllim në Kuvend është krijuar një komision i veçantë hetimor që po merret me hulumtimin e rastit- nëse ka pasur ose jo keqpërdorime në këtë proces.