PDK: E mirëpresim dakordimin e djeshëm në Bruksel

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memi Krasniqi ka deklaruar se e mirëpret dakordimin e djeshëm të arritur në Bruksel, mes palës kosovare dhe asaj serbe për targat.

Ai tha se e mirëpret një marrëveshje që shmangë përshkallëzimin dhe eskalimin e situatës në veri të vendit.

“Ne e mirëpresim dakordimin që ka ndodhur dje në Bruksel, marrëveshjen e cila shmang përshkallëzimin dhe eskalimin potencial të situatës në veriun e vendit. Ke mundur ta bësh vet këtë që e bëre dje në Bruksel duke u dakordu me ShBA dhe duke e marrë për bazë këshillën që e kishe që më shumë se 4 javë nga ndërmjetësi i ShBA-së, Escobar” – tha Krasniqi.

Në anën tjetër, Krasniqi tha se ndihet keq që kryeministri ka shprehur ‘një pafuqi’ të Kosovës dhe se ka krijuar shpenzime për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, që sipas kreut të PDK-së, mund të evitoheshin.

“Më vjen keq që ke shprehur një pa fuqi të Kosovës duke mos qenë e mundshme të zbatoni vendimin për tabelat dhe po ashtu duke krijuar shpenzime për mbajtjen e zgjedhjeve që kanë mundur të evitohen, po edhe duke ndjell frikë e panikë dhe krizë të pa nevojshme jo veç në veri” – theksoi në mes tjerash kreu i PDK-së.

“Përkundër dallimeve tona politike, unë ndihem keq si qytetar, kur mbrëmë kam lexuar tituj të tipit ‘Albin Kurti i pranoi të gjitha që i refuzoi para disa ditësh’ sepse ti përveç oponent politik, je kryeministër i qytetarëve” – shtoi ai.

Krasniqi ka kërkuar llogari nga kryeministri Kurti se çka do të ndodhë me serbët të cilët u dorëhoqën nga institucionet e Kosovës.

“A do të kthehen serbët në institucionet e Kosovës? Çka do të bëni për këtë, askush prej jush nuk po tregon a do të ketë normalitet në veriun e vendit? A do të kthehen një pjesë e tyre në administratë, në sistemin e drejtësisë e në institucione tjera? Nuk po e thoni as ju, as ndërmjetësit ndërkombëtarë e as pala tjetër”- tha Krasniqi.

Kryetari i PDK-së prezantoi pesë pika për të cilat ai tha se duhet të jenë si udhërrëfyes për dialogun dhe se për arritjen e tyre, Krasniqi edhe njëherë rikonfirmoi mbështetjen e partisë tij.

“Duke ju inkurajuar për vendosshmëri dhe fokus në arritje të marrëveshjes finale, ju ftoj që këto pesë shtylla të marrëveshjes të jenë; Ruajta e karakterit unitar të shtetit tonë sipas rregullimit aktual kushtetues, Njohja formale nga pesë shtetet mos njohëse të BE, Nisjen  e procesit të anëtarësimit në NATO, Marrjen e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE dhe njohjen e ndërsjellë”- tha Krasniqi.

Kosova dhe Serbia mbrëmë kanë arritur marrëveshje lidhur me çështjen e targave.

Marrëveshja u arrit pas takimit të kryenegociatorit të Kosovës Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Perkoviç me ndërmjetësimin e emisaritë të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak.

Sipas marrëveshjes, Serbia do ndalojë lëshimin e targave për qytetet e Kosovës, derisa Kosova do ndërpresë veprimet në lidhje me riregjistrim të automjeteve.

Borrell: Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për targat