PDK e Hanit të Elezit: Asnjë nga akuzat në vendimin e PZAP-së nuk janë të vërteta

Partia Demokratike e Kosovës në Han të Elezit ka mohuar akuzat që i ka parashtruar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kandidati i pavarur për kryetar të kësaj Komune, Rufki Suma.

“Është e papranueshme, nuk është realitet, nuk qëndron”, ka thënë për KALLXO.com anëtari i kryesisë së PDK-së në Han të Elezit, Xhevahir Bajramaliu.

Sipas tij, asnjë nga akuzat që janë në vendim të PZAP-së nuk janë të vërteta.

“Nuk janë të vërteta hiç”, u shpreh Bajramaliu.

I njëjti tha se nuk e di se me çfarë baze është bërë kjo ankesë.

“Unë po flas si anëtar i PDK-së dhe në cilësinë e qytetarit. Qytetari veç e ka shprehur vullnetin e vet në zgjedhjen e 17 tetorit”, shtoi ai.

PZAP sot ka publikuar vendimin, ku tregohet se kanë anuluar të gjitha votat për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit.

Këtë vendim PZAP e kam marrë pas ankesës së kryetarit aktual, kandidatit të pavarur Rufki Suma.

Ky i fundit në ankesën e dorëzuar në PZAP kishte pretenduar se simpatizantët e Partisë Demokratike të Kosovës kishin bërë presion mbi qytetarë dhe se Mehmet Balazhi dhe kandidatët për Kuvend Komunal të këtij subjekti kishin vizituar të gjitha vendvotimet në Han të Elezit dhe disa lokacione tjera duke i takuar qytetarët dhe duke i kërkuar që të votojnë numrin 177 dhe numrat e kandidatëve për kuvend komunal.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë edhe me kandidatin për kryetar të komunës nga radhët e PDK-së, Mehmet Balazhi, mirëpo i njëjti deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk është përgjigjur.