
PDK e gatshme për të komunikuar hapur me Qeverinë rreth situatës në veri të Kosovës
Partia Demokratike të Kosovës ka njoftuar se kryetari i këtij subjekti politik, Memli Krasniqi, ka takuar sot në mbledhje të përbashkët Kryesinë e partisë dhe grupin parlamentar të PDK-së, me ç’rast është diskutuar për zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë shqetësimet në lidhje me situatën e krijuar në pjesën veriore të vendit.
Sipas këtij njoftimi, në takim u rikonfirmua nevoja e veprimeve të përgjegjshme politike për ruajtjen e stabilitetit në vend, të cilat duhet të ndërmerren përmes koordinimit ndërinstitucional dhe komunikimit ndërpartiak.
“PDK vlerëson se tërheqja nga detyrat dhe përgjegjësitë institucionale të zyrtarëve të komunitetit serb, cenojnë sovranitetin juridik të shtetit tonë dhe mbarëvajtjen e rendit publik. Prandaj, në këtë situatë, koordinimi mes Qeverisë dhe Opozitës dhe harmonizimi i veprimeve institucionale, duke përfshirë këtu Kuvendin e Kosovës, si dhe konsultimet me partnerët ndërkombëtarë, janë të domosdoshme” – thuhet në njoftimin e PDK-së.
Tutje, ky subjekt politik ka shprehur gatishmërinë për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi me Qeverinë e Kosovës rreth situatës së krijuar në veri.
“Me këtë rast, PDK shpreh gatishmërinë për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi me Qeverinë rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit, si dhe për të ndihmuar institucionet në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të Republikës së Kosovës” – thuhet në njoftimin e PDK-së.
Në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor, të ftuar nga Lista Serbe, në cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.
Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS (Republika e Kosovës), duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).
Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese.
Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.
Në anën tjetër, Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Repubikës së Kosovës.
Qytetarët serb u mblodhën dje në sheshin “Car Llazari” në Mitrovicën e Veriut në shenjë proteste ndaj zhvillimeve të fundit në veri të vendit.