Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK e akuzon për shpifje Driton Ajazin, ky thotë se Ramiz Lladrovci është dëshmitar në Gjykatën Speciale

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka akuzuar për shpifje dhe linçim kandidatin për kryetar të Drenas nga radhët e  “Demokratët për Drenasin”, Driton Ajazin, për deklarata që thuhet se ai i ka pasur në lidhje me ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hahsim Thaçi dhe Kadri Veseli.

PDK-ja në një reagim ka pretenduar se Ajazi ka informata se kryetari aktual i Drenasit dhe kandidati për kryetar nga PDK, Ramiz Lladrovci, është dëshmitar kundër Thaçit dhe Veselit në procesin gjyqësor që po mbahet në Hagë.

Sipas PDK-së, “kjo është fushatë e turpshme, linçuese dhe shpifëse kundër Lladrovcit”.

“I mësuar me logjikën e mashtrimeve e manipulimeve, Ajazi paturpësisht ka shpifur për procesin e Gjykatës Speciale, me të cilin po përballen liderët historikë të Kosovës dhe PDK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Deklaratat e Ajazit se ka informata se kryetari Ramiz Lladrovci na qenka dëshmitar kundër tyre janë edhe një sulm ndaj luftës së drejtë e të shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prijësve të saj dhe secilit luftëtar të lirisë. Kjo është një shpifje që mund ta sajojnë vetëm mendjet mercenare si ato të Driton Ajazit dhe të sponsorëve të tij”, thuhet mes tjerash në reagimin e PDK-së.

Në lidhje me këto akuza, ka reaguar Driton Ajazi. Ai ka theksuar ai asnjëherë nuk i ka dëmtuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, ndërsa ka pohuar se Ramiz Lladrovci është dëshmitar i Gjykatës Speciale.

“Ai vet e ka kumtuar këtë lajm dhe hiç më larg se mbrëmë ka treguar në një televizion se gati gjatë gjithë një dite ka dhënë dëshmi. Pra, nëse çlirimtarët tjerë janë ftuar në statusin e të dyshuarit, Lladrovci është ftuar si dëshmitar. Është fakt që s’mund ta shemb askush, sado që ju dhemb”, ka shkruar Ajazi në Facebook.

Ramiz Lladrovci nga PDK dhe Driton Ajazi nga DD do të garojnë në balotazhin e 14 nëntorit për udhëheqjen e Drenasit.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së më 17 tetor, Lladrovci mori 45,50 për qind të votave, kurse Ajazi siguroi 30,50 për qind.