PDK e akuzon Glauk Konjufcën, e quan ideolog të organizatës ‘Syri i Popullit’

Grupi parlamentar i PDK-së ka filluar punën e saj si opozitë në Kuvendin e Kosovës.

Ata përmes një komunikate për media kanë sulmuar kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën duke e akuzuar për lidhje familjare me të dënuarin në rastin “Syri i Popullit”, Sadri Rambajën.

Madje, PDK e ka quajtur Konjufcën si person që është ideologu i organizatës terroriste “Syri i Popullit”.

“Grupi Parlamentar i PDK-së, shpreh indinjatë për karakterin parapolitik që i është dhënë Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke qenë në krye të tij ideologu i organizatës terroriste “Syri i Popullit”, Glauk Konjufca”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga grupi parlamentar i PDK-së.

PDK pretendon se Konjufca ka lidhje familjare me Sadri Rambajën dhe se heshtja e Konjufcës po e mbron veprimtarinë e kësaj organizate.

“Kryeparlamentari Konjufca, i cili ka lidhje të ngushta familjare me ish asamblistin dhe ish kandidatin për deputet të VV-së, Sadri Ramabajën, të dënuarin e “Syrit të Popullit”, duke heshtur, po mbron veprimtarinë e kësaj organizate terroriste, e cila krijoi lista për vrasjen e kundërshtarëve politikë dhe filloi zbatimin e saj duke bërë atentat”, thuhet tutje në komunikatë.

KALLXO.com ka provuar të kërkojë koment lidhur me këto akuza nga Glauk Konjufca mirëpo ka qenë i paqasshëm deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Avni Llumnica është dënuar me 12 vjet burg nga Gjykata, pasi i gjet fajtorë në akuzat e Prokurorisë në rastin “Syri i Popullit”.

Avni Llumnica është shpallur fajtor për shkak të dhënies së ndihmës në  tentim-vrasjen e Azem Vllasit, për shkak të hakmarrjes dhe për veprën penale sulm seksual sa ishte në qendrën e paraburgimit.

I akuzuari tjetër Ragip Sallova është dënuar me  4 vite burgim. Sadri Ramabaja, 5 vite burgim, Behxhet Luzha, u dënua me 2 vite, Halim Halimi, u dënua me 3 vite burgim.

Sadri Rambaja ka qenë asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Kurti e Konjufca dorëzojnë kallëzim penal ndaj Thaçit e Veselit për ‘Syrin e Popullit’