PDK dorëzon kërkesë për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për më 14 prill

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se ka dorëzuar kërkesë për mbajtje të seancës së jashtëzkonshme të Kuvendit të Kosovës për shkak të situatës me coronavirusin.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, përmes një konference për media tha se kërkesa është nënshkruar nga deputetë të PDK-së, AAK-së, Nismës Socialdemokrate, Grupit 6+ dhe deputetë të tjerë të pavarur.

“Me qëllim të adresimit të sfidave që i kemi para vetes si shtet, ne kemi dorëzuar kërkesën me nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme me datën 14 prill, ditë e martë”, tha ai.

Hamza shtoi se kjo çështje shkon përtej interesave politike e partiake.

“Ne jemi të hapur për bashkëpunim, pranimin e propozimeve të partive tjera, si edhe Lëvizjes Vetëvendosje. Masat e propozuara nga Qeveria nuk janë të mjaftueshme. Është vërejtur edhe mungesë e aspektit profesional”, tha zyrtari i PDK-së.

“Kjo pako përfshin pagat për të punësuarit e sektorit privat të paguhen nga 300 euro në muaj për tre muaj, përkrahje për ndërmarrjet private me një fond prej 40 milionë euro, shtesat për të punësuarit e sektorit publik të paguhen nga 300 euro shtesë për tre muaj ditë, ndërsa të punësuarit në linjë të parë të kenë për 3 muaj ditë nga 500 euro shtesë”, tha mes tjerash Hamza.

Në anën tjetër, deri më tani në Kosovë janë 170 persona të identifikuar si të infektuar me COVID-19.

Kjo shifër megjithatë mund të mos jetë reale, pasi në ndërkohë mediat serbe kanë raportuar se në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës janë 20 persona të identifikuar me coronavirus.

Kurse sipas të dhënave zyrtare të MSh-së, deri më tani janë 24 persona të shëruar dhe tre të vdekur.