Konferenca për media e PDK-së, Foto: KALLXO.com

PDK: Do të ndërmarrim nismë ligjore për amadamentimin e Ligjit për Tatimin në Pronë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) përmes një konference për media ka kundërshtuar vendimin e shtrenjtimit të faturave për tatim në pronë.

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Arben Mustafa ka thënë se shtrenjtimi i faturave shpërfaqë mungesën e konsideratës për vështirësitë me të cilat po ballafaqohen qytetarët e Kosovës si pasojë e krizës ekonomike.

“Qeveria e Kosovës po e zhytë vendin nga kriza në krizë, ndërsa për të gjitha krizat e ka pothuajse përgjigjen e njëjtë, shpërndarjen e 100 eurove që tashmë po paraqesin instrumentin më të dalluar të politikë-bërjes ekonomike të kësaj qeverie e të cilat në asnjë rast nuk kanë arritur të adresojnë nevojat e qytetarëve”- ka thënë Mustafa.

Deputeti Ferat Shala njoftoi se PDK ka një propozim për amendamentimin e Ligjit aktual për Tatimin në pronën e paluajtshme, të cilin do ta dorëzojë në Kuvendin e Kosovës.

“Si Grup Parlamentar i PDK-së që nga nesër do të ndërmarrim nismën ligjore për amadamentimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme”- tha ai.

Shala ka thënë se pas miratimit të këtij amendamenti, PDK propozon të hapet një debat për të rishikuar në detaje këtë ligj.

“Ky veprim juridik do të duhej të përfshinte: Normën tatimore, me mundësinë për të ulur kufirin e poshtëm të normës tatimore; Zonimin dhe nënzonimin sipas legjislacionit në fuqi; Kriteret dhe metodologjia e vlerësimit të pronave të përcaktohet me ligj”- ka thënë Shala.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka folur në lidhje me ligjin aktual për tatimin në pronë, për të cilin tha se është në fuqi që nga viti 2018 dhe është miratuar në Qeverinë e Isa Mustafës, ndërsa Kuvendi e ka aprovuar, kur Qeverinë e kishte marrë Ramush Haradinaj.

Murati tha se ligji obligon që në vitin e pestë të zbatimit, të hyjë në fuqi tatimi 100 për qind i tokave.

“Ligji aktual për prona ishte miratuar nga qeveria Mustafa më 4 maj 2017,  por nuk ka kaluar në Kuvend, pasi qeveria kishte rënë një javë më vonë.  Më pastaj i njëjti ligj është procedu në Qeverinë Haradinaj dhe më 26 janar 2018 ka hy në fuqi. Ky ligj ka paraparë që në vitin e pestë të hyjë në fuqi tatimimi 100%  i tokave. Viti 2023 është kur tatimi në toka aplikohet në vlerën 100 për qind, domethënë këtë e obligon ligji” – ka thënë Murati

Ditëve të fundit ka pasur shumë reagime nga qytetarët rreth ngritjes së çmimit të tatimit në pronë.

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) përmes një reagimi ka thënë se komunat nuk e kanë rritur çmimin e tatimit në pronë.

AKK-ja ka thënë se komunat nuk e kanë rritur normën tatimore, por sipas tyre, është bërë rivlerësimi i pronave nga Ministria e Financave dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar në çmimet e tregut.

Murati: Ligji që u miratua më 2018 nga Qeveria Mustafa obligon tatimimin 100% të tokave