Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK do të marrë pjesë të hënën në takimin e thirrur nga Osmani

Partia Demokratike e Kosovës e ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e së hënës, të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani për të diskutuar lidhur me rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve lokale.

Megjithëse nuk ka treguar nëse PDK pajtohet apo jo me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, zëdhënësi i kësaj partie, Faton Abdullahu, ka thënë se e të gjitha qëndrimet dhe propozimet e PDK-së, kryetari Memli Krasniqi do t’i shfaqë në takim.

“PDK nuk i është shmangur asnjëherë takimeve institucionale dhe do të marrë pjesë në takimin e të hënës. Të gjitha qëndrimet dhe propozimet e PDK-së, kryetari Memli Krasniqi do t’i shfaqë në takim”, tha Abdullahu.

Përndryshe, kryetari i PDK, Memli Krasniqi tash e dy javë i ka dërguar letër kryeministrit Albin Kurti për të diskutuar për daljen nga pandemia por Kurti nuk ka kthyer përgjigje.

Kurse, sot është bërë e ditur se presidentja Vjosa Osmani ka ftuar për të hënën në një takim konsultativ partitë politike për të diskutuar lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend.

Sipas letrës, drejtuar partive politike, ky takim do të mbahet konkretisht për të diskutuar opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e zgjedhjeve në situatën epidemiologjike.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S., Vjosa Osmani- Sadriu ju fton në takim konsultativ për ta diskutuar opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend. Takimi konsultativ do të mbahet të hënën, më 13 shtator 2021, në ora 16:30, në sallën C301, në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me të mira, ZPRK”, thuhet në letrën e Presidentes./RTV21