PDK do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidentja për zgjedhjet lokale

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se PDK-ja do të jetë pjesë e takimit të sotëm me presidenten Vjosa Osmani për të diskutuar rreth rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për shtyrjen e zgjedhjeve lokale.

Tahiri tha se deri tash PDK-së nuk i është drejtuar asnjë kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve. Ai shtoi se qëndrimin e PDK-së për shtyrjen e zgjedhjeve do ta shpreh kryetari i saj, Memli Krasniqi.

“Ju e dini që ne si parti opozitare kemi diskutuar për nevojën e ndërmarrjes së disa masave në mënyrë që fushata elektorale të mos jetë ajo që të ndikojë në përkeqësimin e situatës si rezultat i grumbullimit të njerëzve në masa më të mëdha. Ne kemi qenë të gatshëm të diskutojmë për masat  dhe shkurtimin e fushatës”, u shpreh ai.

Mes tjerash, Tahiri ka thënë se mbledhja e sotme e Kryesisë, është e vonë.

“Siç e dini, PDK-ja dhe kryetari i saj Memli Krasniqi ka kërkuar para 3 javësh që të mblidhet Kuvendi. Kjo mbledhje që u mbajt sot është shumë e vonë, mirëpo e keni parë që kjo Qeveri nuk ka qenë e gatshme që të mblidhemi dhe t’i trajtojmë dokumentet shumë të rëndësishme siç është edhe buxheti i Kosovës”, tha ai.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rekomanduar shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, për shkak të situatës me pandeminë.

Presidentja Vjosa Osmani sot nga ora 16:30 do të mbajë takim me partitë politike vendore për të diskutuar këtë rekomandim.