Arben Gashi - LDK, Foto: KALLXO.com

PDK dhe LDK komentojnë deklaratat e Kurtit për dialogun në Bruksel

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se u vendos që në seancën e radhës të diskutohet për gjendjen e arsimit në Kosovë në të gjitha nivelet të shkaktuara nga pandemia dy vitet e fundit. Ky diskutim ishte propozim i PDK-së

“Ka qenë vit i humbur. Po shohim që Qeveria e Kosovës dhe qeveria para kësaj qeverie nuk po ndërmarrin asnjë hap të vetëm që mësimi online të jetë më efikas ose për vaksinimin e mësimdhënëave. Në këtë debat është e rëndësishme pjesëmarrja e kryeministrit. Ftojmë edhe zonjën Nagavci ta prezantoj planin e saj për këtë vit shkollor”, tha Tahiri.

Çështje diskutimi sipas Tahirit është ajo për energji elektrike.

“U vendos si propozim i LVV-së të diskutohet pagesa e energjisë elektrike për veriun e Kosovës në vlerë prej 11 milion euro. Ne e kemi kundërshtuar dhe vazhdojmë ta  kundërshtojmë. Kjo mazhorancë po vendos që të paguhet energjia e veriut me taksa të qytetarëve të Kosovës”, tha Tahiri.

I pyetur se a do marrin pjesë në ndonjë takim me kryeministrin Albin Kurti, Tahiri tha se Kuvendi është vendi ku do të duhej të diskutohej.

“Ne nuk kemi pranu ftesa nga Kurti. Do të duhej ta bënte ftesën para se të udhëtonte në Bruksel. Do të duhej një seancë parlamentare të ndodhte paraprakisht.

Abelard Tahiri – PDK, Foto: KALLXO.com

“Vendi ku duhet të diskutohet është seanca dhe nuk ka vend për takime të ngushta mu mbajtë nëpër restorante”, tha ai.

Sa i përket deklaratës së Kurtit se nuk ka gjetur dokumente të dialogut, Tahiri tha kur kryeministri shkon në Bruksel “me i marrë vesh punët e shtëpisë është imazhi më i keq”

“Me poshtëru shtëpinë tëndë në atë formë është e papranueshme”, tha Tahiri

Edhe Arben Gashi nga LDK-ja foli për deklaratën e Kurtit.

“Kjo deklaratë është e qëllimshme. Kurti ka obligim kushtetues e ligjor të merret më çështjet e diskutimeve me Serbinë dhe ta përfaqësojë Kosovën”, tha Gashi.

Gashi tha se deklarata e Kurtit se nuk ka pasur dokumentacion “nuk është aspak e vërtetë sepse Hoti ia ka dorëzuar dosjen”

“Kjo është arsyeja se e ka prit në zyre. Në dosje e ka të detajuar dosjen e diskutimeve me Serbinë”, tha ai.

Gashi tha se “këto të pavërteta do të dekonspirohen me të vërtetat e Avdullah Hotit”.