PDK dhe LDK e vlerësojnë të panevojshme interpelancën për hidrocentralet

Deputetë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së dhe PDK-së e kanë vlerësuar si të panevojshme interpelancën e sotme të ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi në lidhje me dhënien e licencave për hidrocentrale për kompaninë “KELKOS”.

Këto qëndrime janë dhënë me arsyetimin se tashmë në Kuvendin e Kosovës ka mandat Komisioni Hetimor në lidhje me këtë çështje. Interpelanca është thirrur sipas kërkesës së deputetes nga radhët e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila, e nënshkruar edhe nga nëntë deputetë tjerë.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha tha se interpelanca në lidhje me dhënien e licencave afatgjate (40vjet) për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “KELKOS ENERGY” sh.p.k për HC “Deçani” dhe HC “Belaja”, nuk ka qenë e nevojshme në këtë kohë pasi sipas saj ekziston një Komision Hetimor nga 14 gushti dhe se seanca mund të interferojë në procesin e Komisionit hetimor Parlamentar.

Hoxha tha se në Kosovë janë 1 mijë e 600 metër kub ujë për kokë banori në vend, e që sipas saj është 9 herë më pak se në vendet e rajonit.

Hoxha tha se të gjitha ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës duhet të synojnë gjithëpërfshirjen e komunitetit në këto lloj procese për të ndikuar pozitivisht në të mirën e përbashkët.

“Pakënaqësitë e shumta të komunitetit në të drejtën elementare në ujin e pijes, në ujin për ujitje të të mirave bujqësore si e drejta themelore të garantuar me ligjet në Kosovë dhe jo vetëm degradimet e shumta mjedisore, vonesat në rinatyrim nga ana e operatorëve, mungesat apo takimet jo të mjaftueshme me komunitetin janë disa nga çështjet që e kanë shty themelimin e komisionit hetimor parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës me datë 14 gusht 2020”, tha ajo.

Qëllimi i këtij komisioni sipas Hoxhës është hetimi i proceseve.

Hoxha tha se pikërisht në tre mujorin e themelimit të këtij komisioni u lëshuan lejet mjedisore të “KELKOS ENERGY” për dy operatorët Deçani dhe Belaja, përderisa sipas saj ato ditë komisioni kishte bërë kërkesën për shtyrje edhe për 3 muaj.

Edhe Besa Gaxherri deputete e LDK-së tha se Komisioni Hetimor Parlamentar ende nuk e ka përfunduar hetimin rreth dyshimeve për këtë proces dhe se Kuvendi nuk do të duhej ta lejonte një interpelancë të tillë.

Gaxherri shtoi se LDK-ja kërkon nga Zyra Kombëtare e Auditorit që të auditojë të gjitha licencat që janë lëshuar që nga viti 2010 e sot për hidrocentralet.

Gjithashtu ka ftuar prokurorinë të merret me dyshimet dhe shkeljet në këtë proces.