Kuvendi i Kosovës - Arkiv

PDK dhe AAK, tregojnë se a do të marrin pjesë në votimin për bordin e RTK-së

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, janë zotuar se grupet e tyre do të marrin pjesë në votimin për anëtarë të bordit të RTK-së, kurdo që të vijë në rend dite.

Abelard Tahiri shtoi në këtë mbledhje do të duhej të vendosej për rendin e ditës dhe si pikë parashihej edhe çshtja e votimit për bordin e RTK-së.

“Padyshim se PDK do të marr pjesë në këtë votim ne i kishim arsyet tona në seancën e kaluar që nuk qëndruam në sallë dhe besoj që në mbledhjen e radhës nëse do të arrij të organizohet nga kjo kryesi padyshim që do të marrim pjesë”, tha shefi i grupit parlamentar të PDK-së.

Kurse Besnik Tahiri, shtoi se do të marrin pjesë në votim, por se nuk e dinë kur do të ketë seancë.

“Funksionalizimi i bordit të RTK-së është i rëndësishëm. Ne kemi bërë edhe një ankesë në Gjykatën Kushtetuese. Atje ende nuk po ndodh asgjë dhe ne nuk komentojmë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës normal se do të marr pjesë në votimin për bordin e RTK-së. Por nuk e dimë se kur do të ketë një seancë”, shtoi ai.

Javën e kaluar, Kuvendi ka dështuar të votoj për zgjedhjen e anëtarëve të bordit të Radio Televizionit të Kosovës për shkak të mungesës së deputetëve në seancën e Kuvendit.

Në seancë nuk ishin të pranishëm dy grupet parlamentare PDK dhe AAK.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca kishte thënë se është e qëllimshme mungesa e grupit parlamentar të PDK-së dhe AAK-së në seancë.