PDK: Dështimi i qeverisjes për të kryer testime të shpeshta, mund t’u kushtojë keq qytetarëve

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, tha sot në një konferencë për media se moskryerja e testimeve të shpeshta për coronovirus mund t’u kushtojë qytetarëve të Kosovës.

Ismaili tha se që nga shkurti Kosova ka kryer vetëm 570 teste, nga të cilat 31 nga rezultuar pozitive, apo 5.4 përqind e të testuarve. Siç tha Ismaili, nëse Qeveria do të merrte masa dhe do të kryente 10 mijë testime, do të rezultonin 540 të infektuar.

“Mungesa e testimeve masive do i jep mundësi virusit të shpërndahet dhe të kemi një ngulfatje të sistemit shëndetësor. Nga testimet tona nga 570 teste kanë dalur 5.4% pozitive. Nëse e zmadhojmë këtë masë të testimit me një konstante prej 5.4 atëherë në 10,000 testime do të kishim 540 të infektuar e jo 31”, ka thënë Ismaili.

Kujtojmë se në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë 1,000 teste për personat të cilët dyshohet më COVID-19, ndërsa shumë shpejtë pritet të vijnë edhe 7,000 të tjerë.

Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media ditën e enjte.

“Momentalisht në Institutin e Shëndetësisë Publike janë 1,000 teste dhe pardje me urgjencë janë porositur edhe 7 mijë të tjera që do të vijnë në fillim të javës që vjen dhe po ashtu është përgatitur kërkesa edhe për teste shtesë pas tyre”, tha Vitia.