Foto: PDK

PDK dërgon në Kushtetuese 16 ligje të miratuara në seancën e 5 dhjetorit

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, më 13.12.2024 ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese 16 ligje të miratuara në seancat e mbajtura më 5 dhjetor 2024, duke i kontestuar ato për shkelje procedurale dhe njërën prej tyre edhe për shkelje të përmbajtjes.

Ai ka deklaruar se kanë paralajmëruar që do t’i dërgojnë 20 projektligje në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo se në konsultim me ekspertët i kanë proceduar vetëm 16 prej tyre.

Tahiri tutje tha se seancat kanë vendosur një rekord te zi parlamentar jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë.

“Ashtu sië kemi paralajmëruar PDK do t’i procedojë në Gjykatën Kushtetuese ligjet të cilat janë miratuar në seancën e 5 dhjetorit. Seanca e 5 dhjetorit ka përcaktuar një standard jashtëzakonisht të dëmshëm dhe e ka dhunuar jetën parlamentare në vendin tonë. Ato seanca kanë vendosur një rekord te zi parlamentar jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Ne kemi paralajmëruar që do t’i dërgojmë 20 projektligje në Gjykatën Kushtetuese, prej atyre të cilat janë miratuar mirëpo në konsultim me gjithë ekspertët tanë, sot i kemi proceduar 16 prej tyre”- tha ai.

Tahiri njoftoi se nga 16 ligjet e kontestuara, 15 ligje janë kontestuar për shkelje procedurale, ndërsa Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, është kontestuar si në procedurë, ashtu edhe në përmbajtje.

Ai theksoi disa nga shkeljet kryesore dhe flagrante të Procedurave Parlamentare si miratimi i këtyre ligjeve pa miratim paraprak të rendit të ditës nga Kryesia e Kuvendit, thirrja e seancave me njoftime të vonuara e të papërshtatshme për deputetët, duke pamundësuar shqyrtimin dhe amandamentimin e materialeve ligjore, si dhe procesi i miratimit të ligjeve, nga shqyrtimi në lexim të parë deri në miratim përfundimtar, është zhvilluar brenda një dite të vetme, duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

“Për shembull, për seancën e caktuar të mbahet për në ora 14:40, deputetët e Kuvendit janë njoftuar me 21 minuta vonesë, pra në ora 15:01. Për seancën e caktuar për orën 19:30, deputetët janë ftuar po ashtu me vonesë në 19:31. Për seancën e caktuar për orën 20:10, deputetët janë njoftuar vetëm 2 minuta më herët, pra 20:08. Për seancën e caktuar për orën 22:30, deputetët janë njoftuar në ora 22:42”- tha ai.

Seanca e Kuvendit të Kosovës që u ndërpre pas ‘konfrontimit’ të kryeparlamentarit Glauk Konjufca dhe deputetëve të Listës Serbe, vazhdoi në orët e vona të mbrëmjes së 5 dhjetorit 2024 – duke u përmbyllur me miratimin e disa Projektligjeve, të cilat u votuan vetëm nga deputetët e shumicës në Parlament.

Seanca e rregullt plenare kishte nisur punimet nga ora 14:00 dhe në rend dite kishte 27 pika. Por, ajo zgjati deri pak minuta para mesnate, 23:50, pas kërkesës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për shmangie të afateve të caktuara, për të miratuar në shqyrtim të dytë një sërë Projektligjesh.

‘Nëse nuk kalojnë këto ligje, rrezikohen shumë procese’- Çka ndodhi në seancën e orëve të vona në Kuvend?