Selia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Foto: Valon Fana/ KALLXO.com

PDK: Dënojmë dhunën në veri nga grupe të dirigjuara nga Serbia, qeveria të koordinohet me ndërkombëtarët

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësim në lidhje me tensionet e sotme në komunat veriore të Kosovës.

PDK thotë se dënon tendencën për dhunë nga grupe të dirigjuara nga Serbia.

“Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësim të thellë për tensionet e sotme në komunat e pjesës veriore të Kosovës, duke dënuar tendencën për dhunë nga grupe të dirigjuara nga Serbia” – thuhet në reagim.

Në postim, PDK ka bërë thirrje përmbajtje, rend dhe qetësi dhe ka kërkuar nga Qeveria të ndërmarrë veprime në koordinim me ndërkombëtarët.

“Në këtë moment, të vetëdijshëm se përshkallëzimi i situatës nuk i sjellë asnjë dobi Kosovës, bëjmë thirrje për përmbajtje, rend dhe qetësi, për t’i lënë hapësirë respektimit dhe zbatimit të vullnetit të qytetarëve. Ftojmë qeverinë që ta vlerësojë situatën e sigurisë dhe veprimet t’i ndërmarr në koordinim edhe me partnerët ndërkombëtarë”- shkruan PDK.

Që nga mesdita, në katër komunat e veriut të vendit është dëgjuar alarmi, ndërsa pranë disa objekteve komunale, si në Zveçan e në Zubin Potok, janë parë qytetarë të cilët kanë kundërshtuar futjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Pesë policë të Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi janë sulmuar nga protestuesit në Zveçan me mjete të forta dhe shok-bomba, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

KALLXO.com po raporton në kohë reale nga veriu i Kosovës.

LIVE – Zhvillimet e fundit në veri