
Selia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Foto: Valon Fana/ KALLXO.com
PDK deklarohet pas takimit në Ambasadën e SHBA-së, s’përmend askund Asociacionin
Partia Demokratikë e Kosovës (PDK) ka lëshuar një deklaratë për media pas përfundimit të takimit të thirrur nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Takimi, siç u konfirmua, ishte mbi diskutimet rreth çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, PDK në deklaratën për media nuk ka përmendur fare këtë gjë.
“PDK vlerëson lartë angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha fazat më të rëndësishme të vendit, nga çlirimi, pavarësia dhe shtetndërtimi. Qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me dialogun janë të qarta, publike dhe konsistente”- thuhet në komunikatën për media të partisë që drejton Memli Krasniqi.
PDK tha se do të ketë rol aktiv dhe do të jap kontribut kur në pyetje është interesi i shtetit.
“Rrjedhmisht, PDK në vazhdimësi i ka dhënë mbështetjen e nevojshme dhe e ka inkurajuar Qeverinë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër”- thuhet në fund të deklaratës së PDK-së.
Ndërkohë, pas takimit ka folur edhe Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi.
“Unë mund të them se ishte një takim shumë konstruktiv ku janë dëgjuar palët e ndryshme për atë se çfarë mendojnë për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është biseduar sa i përket asaj se si mund të funksionoi ky Asociacion në praktikë, si mund të funksionoi Asociacioni sipas kornizës ligjore të Kosovës dhe si mund t’i trajtoj një mekanizim i tillë çështjet që kanë të bëjnë me shëndetësi, arsim dhe me zhvillim ekonomik”- deklaroi Ibrahimi për KALLXO.com.
Tutje, Drejtori i AKK-së tha se në takim është vërejtur një gatishmëri për të gjetë zgjidhje për çështjen e Asociacionit.
“Kishte vullnet për të ardhmen, u shihte që ka vullnet për zgjidhjen e problemeve nga të dyja palët por tash njëra palë reflektonte më ndryshe e tjera më ndryshe. Ne i dimë qëndrimet e Qeverisë por ishin edhe përfaqësuesit e minoritetit serb, edhe nga pjesa veriore por edhe pjesa tjetër, por me rëndësi që ka vullnet për me bisedua dhe me gjetë një rrugë që e çon Kosovën përpara”- deklaroi ai.
“Po shihet që SHBA-të janë djepi i demokracisë dhe mund të marrim shumë praktika institucionale sesi duhet të zhvillohet dialogu për përmirësimin e situatës e cila është duke i brengosur shtetin e Kosovës për disa vite”- tha Ibrahimi.
Ndërkohë, pas takimit është deklaruar shkurt edhe Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Hovenier: Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha zotimeve të dialogut