FOTO: PDK

PDK: Buxheti i Prishtinës nuk i përmbush nevojat e qytetarëve

Sot Partia Demokratike e Kosovës (PDK),  dega në Prishtinë, ka mbajtur konferencë për shtyp ku ka folur për buxhetin e Komunës së Prishtinës, i cili u miratua ditë më parë.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Eliza Hoxha, tha që që nga shpallja e pavarësisë, por edhe më herët, kemi pasur një buxhet të Prishtinës të dizajnuar për komunën por jo për qytetarët.

“Jemi tejet të shqetësuar për planifikimin e dobët të buxhetit dhe mungesën e plotë të transparencës dhe diskutimit ndër vite për të. Që nga shpallja e pavarësisë por edhe më herët kemi pasur një buxhet të dizajnuar vetëm për komunën dhe jo edhe për qytetarët e saj. Qeveritë e Prishtinës asnjëherë nuk kanë treguar aftësi menaxheriale dhe vizion për zhvillimin e qytetit”, tha ajo.

Sipas saj ‘buxheti i Prishtinës nuk përmbush nevojat e qytetarëve të saj. Si pasojë kemi një Prishtinë të paorganizuar, jofunksionale, nervoze, në hije, e cila e ka rënduar jetën e secilit prej nesh’.

Sipas PDK-së, buxheti i kKomunës së Prishtinës nuk ka paraparë asnjë vijë buxhetore për përballjen me COVID-19.

“Për komunën e Prishtinës pandemia nuk ekziston dhe kjo më së miri shihet në buxhet. Dobësia e këtij planifikimi dëshmohet se në vitin 2021 rimëkëmba ekonomike nuk ka gjetur asnjë paragraf vend në buxhetin e Komunës së Prishtinës”, tha ajo

“Ndërmarrësit e Prishtinës edhe njëherë do të jenë të vetëm në ballafaqim me krizën, pasiqë asnjë linjë buxhetore nuk është ndarë për ta. Përkundrazi, kemi zvogëlim të buxhetit për zhvillim ekonomik nga 500 mijë në 100 mijë euro” shtoi Hoxha.

Sa i përket realizimit të buxhetit ndër vite, Leutrim Retkoceri, asamblist i PDK në Prishtinë tha që Komuna që nga paslufta është kampione e tepricave buxhetore apo suficitit.

Sipas PDK-së, për shkak të planifikimeve të dobëta nga të gjitha qeveritë e deritanishme në Prishtinë, si nga LDK e po ashtu nga Vetëvendosje, mesatarisht 20% e buxhetit apo rreth 17 milionë euro i humbin Prishtinës në suficit cdo vit.

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar buxhetin e komunës për vitin 2021 dhe kornizës afatmesme buxhetore për periudhën 2021-2023.