PDK: Arritëm ta pezullojmë vendimin e padrejtë të ZRRE-së për shtrenjtimin 100% të energjisë elektrike

Partia Demokratike e Kosovës sot ka mbajtur konferencë për media në lidhje me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e rrymës.

“Partia Demokratike e Kosovës, ka fituar betejën ligjore ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe Qeverisë Kurti, për ta parandaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Sipas PDK-së, Gjykata konstatoi se ekzekutimi i vendimit të ZRRE-së do të shkaktoj dëm të pariparueshëm për qytetarët dhe se ky dëm do të manifestohet në aspektin financiar, përkatësisht në vështirësitë e qytetarëve që të përballojnë pagesën e faturave me tarifat e reja të energjisë elektrike.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, njëherësh kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Tregti, Industri dhe Ndërmarrësi, tha se ky vendim i Gjykatës dëshmon se Qeveria ka marrë vendime shumë të dëmshme për qytetarët në kohën e krizës energjetike.

“Vendimi i Gjykatës ka rilegjitimuar të gjitha kërkesat e Grupit Parlamentar të PDK-së për ndërhyrjet politike dhe pabarazinë në procesin e faturimit. Ky vendim I Gjykatës është argument shtesë për themelimin sa më parë të Komisionit Hetimor Parlamentar për ta hetuar gjithë keqmenaxhimin e qeverisë gjatë krizës energjetike”, tha Shala.

Edhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci tha në konferencë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nëpërmjet diktatit dhe presioneve në institucionet e pavarura po i detyron ato të marrin vendime të kundërligjshme dhe në dëm të qytetarëve.

“Mbase qytetarët mund edhe t’ia falin Qeverisë koston e gabimeve si rezultat i jokompetencës dhe paaftësisë, por assesi nuk mund t’ia falin bakshishin për deformimin e skajshëm të vullnetit të tyre që të kenë furnizim të rregullt me energji dhe çmime të përballueshme”, tha Stavileci.

PDK kishte dorëzuar padinë për shfuqizimin e vendimit Nr. 077/22, të datës 16 shkurt 2022, të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Ndaj këtij vendimi të Gjykatës Themelore, ZRrE ka paralajmëruar ankesë.

Deklarohen nga ZRrE: Vendimi për ta shtrenjtuar rrymës është i ligjshëm, ne do të ankohemi

Shtyhet ekzekutimi i vendimit të ZRrE-së për ta shtrenjtuar rrymën