PDK: Arben Vitia dhe Xhelal Sveçla duhet të japin dorëheqje

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Valdete Idrizi, në një konferencë për media ka thënë se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, duhet të japin dorëheqje, sipas saj, për shkak të dështimit të menaxhimit të karantinës në Qendrën e Studentëve.

“Karantina përbën një kufizim të përkohshëm të lirisë së lëvizjes, të individëve të pafajshëm, që mund të jenë ekspozuar ndaj infeksionit. Kjo do të thotë që shteti i cili i privon nga liria mban përgjegjësi për këta qytetarë. Tani më nuk ka dyshime që menaxhimi i karantinës nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme ka dështuar rëndë”, ka thënë Idrizi në konferencë.

Ajo ka përmendur iniciale të disa personave, që sipas saj, janë liruar nga karantina pa të drejtë dhe me ‘të njofshëm’, ndërsa i ka bërë thirrje prokurorisë që të nisë hetimet.

“PDK bën thirrje për ndaljen e këtyre abuzimeve, që rrezikojnë shëndetin publik. I bëjmë thirrje prokurorisë që të nisë hetimet në karantinë dhe ky hetim duhe të jetë transparent, profesional dhe i pandikueshëm nga politika”, ka thënë Valdete Idrizi.