PDK: Albin Kurti mashtroi për reciprocitetin
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka quajtur mashtrim dhe gënjeshtër të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë.
PDK në njoftim për media ka thënë se vendimi i mbrëmshëm i publikuar nga Qeveria, është një vendim “gjysmak, qesharak e teknik për kinse reciprocitet të plotë ekonomik, tregtar dhe politik me Serbinë”.
Kjo parti, ka shtruar disa pyetje publike e tema për Kurtin i cili para marrjes së vendimit të reciprocitetit dhe heqjes së tarifës do të duhej t’i shqyrtonte.
- Cila do të jetë masa e reciprocitetit të Kryeministrit të shkarkuar ndaj fushatës negative të diplomacisë së Serbisë ndaj njohjeve të Kosovës?
- Çfarë masa reciprociteti ka paraparë Kryeministri shkarkuar ndaj preambulës së Kushtetutës së Serbisë ku thuhet se “Kosova është pjesë e Serbisë”
- A u vendos masë reciprociteti ndaj njohjes së diplomave sikurse Serbia bën ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës?
- A u anulua vendimi i dëmshëm serb për verifikimin dhe anulimin e adresave të banorëve shqiptarë në Serbi?
- A u ndal presioni ndaj komunitetit serb në Kosovë, veçmas ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së? Çfarë masa reciprociteti ka paraparë këtu?
- Apo e zbaton marrëveshjen për IBM, dhe funksionalizimin e katër pikëkalimeve të përhershme kufitare të ndërtuara me fondet e BE-së, të cilin Serbia e mban të bllokuar?
- A filloi zbatimi i reciprocitetit për targat e automjeteve?
- A filloi zbatimi i reciprocitetit për dokumentet e udhëtimit dhe heqja nga përdorimi i targave ilegale në Kosovë?
- Cila do të jetë masa e reciprocitetit në raport me arrestimet e shtetasve të Kosovës dhe mbajtjen e tyre në burgjet e Serbisë?
- Çfarë masa reciprociteti do të vendos ndaj Serbisë për çështjen e të pagjeturve dhe kthimin e trupave në Kosovë?
“PDK-ja konsideron se kryeministri shkarkuar Kurti nuk e ka seriozisht reciprocitetin e as tarifat, por vendimi i djeshëm ishte një lojë dhe mashtrim i radhës ndaj qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, e veçmas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë të qarta në kërkesat e tyre”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
(Dokument) Qeveria heq tarifën 100 për qind, vendos reciprocitetin me Serbinë