PDK akuzon Kurtin për tërheqjen e Contour Global

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përmes një komunikate për media, ka reaguar pas tërheqjes së kompanisë ‘Contour Global’, nga termocentrali ‘Kosova e Re’.

PDK ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për këtë tërheqje, duke thënë se i dha SHBA-së goditjen e rradhës.

“Kjo është një goditje e madhe për ekonominë, fuqinë e ardhshme energjetike të Kosovës dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat sot janë në stadin më të keq të tyre”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Tutje në komunikatë, PDK thotë se sjellja e qeverisë Kurti në raport me njërin prej investimeve më të mëdha amerikane në Kosovë, është e papranueshme dhe sipas tyre, po tregon që në javët e para për drejtimin e ‘mbrapshtë’ që ka marrë.

“Fillimisht u refuzua kërkesa e qeverisë amerikane për heqjen e taksës me gjithë vendosjen e bllokadës për fondet amerikane dhe paralajmërimet për largimin e trupave amerikane nga Kosova. Ky kryeministër dhe kjo qeveri VV – LDK, po deklarohet publikisht kundër investimeve dhe interesave amerikane në vendin tonë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Po ashtu, partia e Kadri Veselit ka thënë se mungesa e vullnetit politik për ta shtyrë përpara këtë projekt investimi, flet edhe për mungesën e vizionit të qeverisë së tanishme, për të përkrahur investimet e huaja në Kosovë.

“Kompania amerikane “Contour Global” kishte planifikuar të investonte 1.3 miliard për ndërtimin e termocentralit të ri gjatë pesë viteve të ardhshme, si dhe do të hapeshin mijëra vende pune dhe shumë angazhim për kompani lokale kosovare”, thuhet në fund të komunikatës së Partisë Demokratike të Kosovës.

Contour Global ka ndaluar planet për ndërtimin e një termocentrali me qymyr 500 megavat në Kosovë, dhe tha se nuk do të bëjë investime të tjera në termocentrale nga qymyri, shkruan Reuters.

Projekti do të siguronte rreth gjysmën e kërkesës për energji elektrike të vendit ballkanik i cili po përballet me mungesë të energjisë

“Ne nuk do të zhvillojmë ose të sigurojmë termocentrale qymyri në të ardhmen”, tha kompania të martën në deklaratën e saj të plotë për vitin 2019.

Rruga e Errët e Termocentralit ‘Modern’