PDK: 100-ditëshi i Qeverisë Kurti duhet të quhet 'qeveria e 100 dështimeve'

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur aksion simbolik në 100-ditëshin e Qeverisë Kurti.

Deputetja e kësaj partie, Floreta Zejnullahu ka thënë se qeveria Kurti së pari ka dështuar në planifikimin e buxhetit.

“Kjo qeveri do të mbahet mend për votimin e buxhetit në mënyrë klandestine, në emër të pandemisë por që nuk e planifikoi asnjë buxhet shtesë për pandeminë. Pakoja e ndarë ekonomike nuk i plotëson nevojat e qytetarëve dhe madje rrezikon edhe jetën e bizneseve. Ata mashtruan hapur se kanë arritur të ulin për 100 ditë papunësinë në 6.6 për qind, ndërkohë që edhe vendet e zhvilluara po përballen me rritje të numrit të të papunëve”, tha ajo.

Zejnullahu përmendi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli antikushtetuese ‘orën policore’ të vendosur nga qeveria për parandalimin e COVID-19.

“Kjo qeveri e shkarkuar do të mbahet mend për një sërë rekordesh të këqija siç është shkelja e kushtetues dhe mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që do të mbeten gjithmonë si një rekord i zi”, tha ajo.

Sipas saj ‘kjo qeveri për 100 ditë do të mbahet mend, për borde militantësh, punësime familjare dhe dhënie të tenderëve të afërmve dhe bashkëpunëtorëve të tyre’.

Sipas saj edhe testimi i qytetarëve është duke u bërë në mënyrë selektive.

“Sot në kohë pandemie, kur e gjithë bota organizohet për t`u mbrojtur nga një armik i pa dukshëm siç është COVID-19, duke bërë thirrje për unitet dhe më shumë teste, ky kryeministër ishte kundër testimeve por nuk ngurronte të testohej vet dhe kolegët e tij partiak e qeveritarë. Ndërkohë qytetarët kanë pritur me ditë të tëra e disa nuk kanë mundur të testohen kurrë me gjithë dyshimet e simptomat”, shtoi ajo.

Duke përmendur karantinën, deputetja e PDK-së tha se qeveria Kurti ka keq menaxhuar këtë situatë në bazë të lidhjeve partiake.

“Kjo Qeveri krijoi karantinën të cilën e keqmenaxhoj përmes lidhjeve politike, familjare dhe partiake, duke falsifikuar edhe moshën e njerëzve për të mos u karantinuar”, tha ajo.

Ajo përmendi edhe vdekjen e të riut nga Gjilani, duke thënë se nëse testet do të bëheshin me kohë, ndoshta kjo mund të parandalohej.

“Sot, për pasojë, sikur të kishim teste të mjaftueshme dhe në kohë reale, ndoshta edhe nuk do të kishim humbjen e jetës së Agonit. Kjo qeveri foli edhe kundër UÇK-së, punësoi këshilltar nga komuniteti serb që e mbështesin Ratko Mlladiqin, e hapi kufirin me Serbinë por e mbylli atë me Shqipërinë”, tha tutje.

Zejnullahu shtoi se “secila ditë e kësaj Qeverie në ikje, është një ditë më pak shprese për qytetarët e vendit tonë”.

“Prandaj 100-ditëshi i kësaj qeverie duhet të quhet qeveria e 100 dështimeve”, përfundoi ajo.

Qeveria Kurti ka rënë me 25 mars pas një mocioni të suksesshëm të iniciuar nga partneri i koalicionit LDK-ja.