Lulzim Basha - Foto: Facebook

PD reagon ndaj deklaratave të Bekim Haxhiut lidhur me Lulzim Bashën

Partia Demokratike e Shqipërisë ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të PDK-së në Kosovë, Bekim Haxhiu, në lidhje me kryetarin e PD-së, Lulzim Bashën.

Duke reaguar ndaj deklaratës së Haxhiut, PD informon se Lulzim Basha në asnjë ditë të punës së tij në UNMIK nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndaj anëtarëve apo drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Këtë fakt e ka konfirmuar të shtunën për RTV Ora  edhe ish-kryeprokurori i EULEX, Williamson”, thuhet në reagim.

Partia Demokratike shpreh keqardhje që deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i është bashkuar “taktikave të mashtrimit dhe fabrikimeve të Edi Ramës, duke u bërë kështu pjesë e sulmeve të ulta e të rreme ndaj opozitës në Shqipëri”.

“Duke dashur të kthejë në vëmendjen mbarëbotërore akuzat ndaj UÇK-së me shtëpinë e verdhë, fillimisht Edi Rama akuzoi Lulzim Bashën si pjesëmarrës, dhe më pas, me të njëjtat mekanizma mediatikë, e përgënjeshtroi vetveten duke thënë se ishte dikush tjetër. Është fakt se të ashtuquajturën shtëpinë e verdhë, veç Edi Rames dhe MPJ së Rusisë, sot nuk e përmend askush, sepse çdo hetim ndërkombëtar e ka faktuar si trillium”, thuhet në reagimin e PD-së.

“Më pas, Edi Rama manipuloi një qytetar për të thënë se kaseta e masakrës së Krushës së Madhe ishte zhdukur nga Lulzim Basha. Publikimet e medias prestigjioze britanike BBC e hedhin poshtë këtë mashtrim, duke treguar se personi në fjalë ua kishte dorëzuar atyre kasetën”, thuhet tutje në reagim.