Pazaret me punësime për vota në Komunën e LDK-së

Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha do ta ketë një votë më shumë në asamble. Betim Ahmeti që ishte bërë asamblist me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës ka kaluar në grupin e asamblistëve të LDK-së.

Përveç ndërrimit të partisë, Ahmeti e ka marrë edhe një kontratë pune tjetër nga Komuna që udhëhiqet nga Burim Berisha i LDK-së.

Asamblisti Betim Ahmeti është punësuar sekretar në shkollën fillore “Daut Bogujevci”. Ai ka rezultuar kandidati më i suksesshëm me 69.75% të pikëve.

I pyetur nëse për kalimin në LDK, ka pas marrëveshje për tu punësuar sekretar në shkollën “Daut Bogujevci”, i njëjti e mohoj një gjë të tillë.

“Unë asamblist jam zgjedh nga lista e AAK-së, pastaj kam dal kandidatë i pavarur dhe në fund ia jam bashkuar LDK-së, marrëveshja ka qenë tjetër sen, nuk ka pas kurrfarë marrëveshje me kalu as sekretar as kurrgjë”, deklaroj Ahmeti.

Ahmeti tha se në këtë pozitë është punësuar me konkurs dhe se nuk është ndihmuar nga LDK-ja.

“Qysh mundet me pas ndikim partia kur ka qenë konkursi, konkursit ju këna nënshtru krejt ata qe janë kanë, edhe s’ka mund me pas ndikim partia në konkurs”, tha Ahemti.

Ai shtoi se nuk është ndihmuar as nga kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha.

“Kryetari Burim Berisha nuk ka ndiku. Normal qe ska ndiku se skam pas diçka te veçantë. Unë jam Ahmeti ai është Berisha”, tha Ahmeti, asamblisti i ri i LDK-së.

Kallxo.com, ka provuar të kontaktoje edhe me kryetarin Burim Berisha, mirëpo i njëjti nuk e ka hapur telefonin.