Pazaret me bordet e ndërmarrjeve publike - LIVE

Sonte në emisionin “Kallxo Pernimë” po transmetohet hulumtimi për pazaret në borde të dy ndërmarrjeve publike, në Postën e Kosovës dhe në Infrakos.

Bordet e përkohshme në këto dy ndërmarrje kanë zgjedhur kryeshefët ekzekutivë ani se kishin kërkesë të vazhdueshme nga Ministria e Ekonomisë që mos t’i vazhdojnë procedurat e rekrutimit.

Përveç kësaj, në Postën e Kosovës janë themeluar disa komitete ku anëtarë janë vënë anëtarët e bordit të përkohshëm nga ushtruesi i detyrës së kryeshefit, pra, fillimisht ata janë emëruar nëpër komitete ku do të përfitonin një pagë mujore e pas një jave, të njëjtit do ta zgjidhnin ushtruesin e detyrës së kryeshefit ekzekutiv.

Krejt kjo, siç zbulon hulumtimi i “Kallxo Pernime”, ishte bërë duke anashkaluar ligjet e rregulloret mbi themelimin e komiteteve.

Hulumtimi sjell detaje edhe për kreshefin e ri të Postës së Kosovës. Xhevdet Smakiqi mori besimin e një bordi i cili u emërua nga Qeveria Hoti, por në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike Smakiqi u vë në këtë pozitë pasi i njëjti ishte kandidat për deputet për Nismën Socialdemokrate.

Në hulumtimin e sotëm mund të shihni edhe refuzimin e bordit të Infrakos-it që ia bën aksionarit për zgjedhjen e kryeshefit të ri në këtë ndërmarrje publike.