Foto: Profimedia
PayPal vjen me një lajm të mrekullueshëm për përdoruesit e kriptomonedhave
Kompania amerikane e pagesave digjitale PayPal Holdings deklaroi të hënën se do t’i lejojë përdoruesit në Mbretërinë e Bashkuar të blejnë, shesin dhe mbajnë bitcoin dhe kriptomonedha të tjera duke filluar nga kjo javë.
Futja e kësaj veçorie, e cila shënon zgjerimin e parë ndërkombëtar të shërbimeve kripto të PayPal jashtë SHBA, mund të inkurajojë miratimin e zgjeruar më tej të një klase të re të aseteve.
Me më shumë se 403 milionë llogari aktive në nivel global, kompania me bazë në San Jose, California është një nga kompanitë kryesore financiare më të mëdha që u ofron konsumatorëve qasje në kriptovaluta.
Në fillim të këtij viti, PayPal prezantoi mundësinë e blerjes dhe shitjes së kriptovalutave në Shtetet e Bashkuara.
Kompania shpresonte që hyrja e saj në një klasë të re të aseteve do të rriste përdorimin global të parave virtuale dhe do të përgatiste rrjetin e saj për monedha të reja digjitale që mund të zhvilloheshin nga korporatat dhe bankat qendrore.
“Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të punojmë ngushtë me rregullatorët në Mbretërinë e Bashkuar dhe në të gjithë botën, dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë dhe të kontribuojmë ndjeshëm në formimin e rolit që monedhat digjitale do të luajnë në të ardhmen e financave dhe tregtisë digjitale”, deklaroi Nënkryetari dhe Shefi Ekzekutiv i Blockchain dhe monedhave digjitale në PayPal Jose Fernandez da Ponte.
Në Mbretërinë e Bashkuar, shërbimi i PayPal do të konkurrojë me shërbimet e shkëmbimeve të themeluara të kriptomonedhës si Coinbase Global, si dhe kompanitë e reja inovative të teknologjisë financiare si Revolut.
Konsumatorët do të jenë në gjendje të blejnë bitcoin, ether, litecoin dhe bitcoin cash duke përdorur kuletat (wallets) e tyre PayPal në internet ose përmes një aplikacioni mobil.
Ky vendim vjen pasi kompanitë kryesore financiare filluan t’u ofrojnë klientëve të tyre, si konsumatorë ashtu edhe institucione, qasje në asetet digjitale në rritje të çmimeve të kriptomonedhës.
Përktheu: Nuhi Shala