Monedhat euro dhe dollarë, Ilustrimi: Pixabay

Pavarësisht sanksioneve, miliarda dollarë dhe euro futen në Rusi

Rreth 2.3 miliardë dollarë dhe euro në kartëmonedha janë futur në Rusi prejse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian ndaluan eksportin e valutave të tyre në mars 2022 pas pushtimit rus të Ukrainës, kanë treguar të dhënat e doganave që i ka siguruar agjencia e lajmeve, Reuters.

Shifrat e paraportuara më parë tregojnë se Rusia ia ka dalë t’iu bishtnojë sanksioneve që bllokonin importet e “cashit” dhe sugjerojnë se dollarët dhe eurot mbesin kartëmonedha të dobishme për tregti dhe udhëtim, derisa Moska po punon me mish e me shpirt të reduktojë ekspozimin e saj ndaj valutave të fuqishme.

Të dhënat, të siguruara prej një furnizuesi komercial që mbledh dhe përpilon informacione, tregojnë se paratë u transportuan në Rusi prej vendeve, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqinë, që nuk kanë vënë sanksione ndaj tregtisë me Rusinë. Vendi i origjinës së më shumë se gjysmës së parave nuk është bërë i ditur në informacionet e siguruara.

Qeveria amerikane në dhjetor kërcënoi me ndëshkime institucionet financiare që ndihmojnë shmangien e sanksioneve ndaj Rusisë dhe u ka vënë sanksione kompanive nga vendet e treta gjatë viteve 2023-24.

Juani kinez ia ka dalë të kthehet në monedhën e huaj më të tregtuar në Moskë, megjithëse ende ka probleme të mëdha të pagesave.

Dmitry Poveloy, drejtues i “Astra Asset Management” në Rusi, ka thënë se shumë rusë ende kërkonin monedha të huaja “cash” për udhëtime jashtë vendit, si dhe për importe dhe kursime të vogla.

“Për individët, dollari ende është monedhë e besueshme”, ka thënë ai për Reutersin.

Banka qendrore ruse dhe autoritet amerikan i sanksioneve, Zyra për Kontroll të Aseteve të Huaja, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Reutersit për komentim.

Rusia nisi t’i referohej dollarit dhe euros si “toksike” më 2022 kur sanksionet e shumta kufizuan qasjen e saj në sistemin financiar botëror, duke dëmtuar pagesat dhe tregtinë. Rreth 300 miliardë dollarë rezerva të huaja të Bankës së Rusisë janë ngrirë në Evropë.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian ka thënë se nuk mund të komentojë rastet individuale të aplikacionit të sanksioneve. Zëdhënësi ka thënë se Komisioni Evropian përfshihet me vendet e treta kur dyshon se po shmangen sanksionet.

Të dhënat doganore mbulojnë periudhën mars 2022-dhjetor 2023, dhe Reuters nuk ka pasur qasje në të dhënat e fundit.

Dokumentet kanë treguar një ngritje të madhe të importeve me “cash” para invazionit. Ndërmjet nëntorit 2021 dhe shkurtit 2022, 18.9 miliardë kartëmonedha në dollarë dhe euro u futën në Rusi, krahasuar me vetëm 17 miliardë milionë dollarë në katër muajt paraprakë.

Daniel Pixkard, ekspert për praktika të sigurisë kombëtare dhe tregtisë ndërkombëtare në studion e drejtësisë amerikane, “Buchanan Ingersoll & Rooney”, ka thënë se ngritja e madhe e tregtisë para pushtimit sugjeronte se disa rusë donin t’i shmangeshin ndikimit të mundshëm të sanksioneve të pritura.

“Përderisa SHBA-ja dhe aleatët kishin mësuar rëndësinë e aksionit kolektiv në maksimalizimin e pasojave ekonomike, Rusia po mësonte si të shmangte dhe të neutralizonte të njëjtat pasoja”, ka thënë Pickard.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com