RTK, Prishtine. 21 maj 2015. Photo: Atdhe Mulla.

Pavarësisht ankesave të Sindikatës, Bordi zgjodhi drejtorët në RTK

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës, pas një procesi të rekrutimit dhe me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm, Ngadhnjim Kastrati, ka emëruar dy zv/Drejtorët e Përgjithshëm, Drejtorin e Televizionit, Drejtorin e kanalit në gjuhën serbe dhe Drejtorin e Radios.

Zëvendësdrejtorë të Përgjithshëm u emëruan Mentor Shala dhe Lorik Arifaj. Drejtor i televizionit u emërua Festim Kabashi, drejtor i kanalit në gjuhën serbe u emërua Zhelko Trvdishiq dhe drejtor i Radios është emëruar Ernest Luma.

Në anën tjetër, Sindikata e Pavarur e RTK-së (SPRTK) ka dorëzuar në Inspektoriatin e Punës ankesë kundër Drejtorit të Përgjithshëm, Ngadhnjim Kastrati dhe Bordit të transmetuesit publik, sipas tyre, për shkeljen e kontratës kolektive gjatë procedimit të konkursit për pozitat e drejtorëve dhe zëvendës drejtorëve të njësive në RTK.

Sipas, SPRTK-së kjo ankesë është bërë për mosrespektim të kontratës kolektive përkatësisht nenit (7) të pikës (3) ku thuhet se ‘përfaqësuesit sindikal marrin pjesë në rekrutimin të punëtorëve të rinj, në cilësinë e vëzhguesit” shkruhet në padinë e dorëzuar nga kryetari i Sindikatës, Fadil Hoxha.

Bazuar në dokumentin e padisë, më 26 dhe 27 tetor të këtij vit është mbajtur testi me gojë për pozitat zëvendës-drejtor gjeneral i RTK-së, drejtor i RTK-Tv dhe drejtor i RTK-Radio, në të cilën nuk u ftua SRPTK si vëzhguese  e procesit.

Ndërsa, sipas Ankesës, në procedurën e testit me shkrim më 15 tetor, Sindikata ishte ftuar në cilësinë e vëzhgimit nga administrata e RTK-së.

“SPRTK kërkon nga Inspektorati i Punës që të trajtojnë me urgjencë këtë parregullsi të organeve të RTK-së, të cilat në veprimin e tyre e kanë bërë procesin jo transparent dhe të paligjshëm” shkruan në padi.

Sindikata e Pavarur e RTK-së ankohet në Inspektoratin e Punës ndaj Drejtorit dhe Bordit