Gjykimi i zyrtarit të Kllokotit, i akuzuar se vodhi 10 litra naftë të paguara nga komuna. FOTO-Fitim Limani/KALLXO.com

Pauzë për një vit e gjysmë, ndërpritet sërish seanca për vjedhjen e 10 litrave naftë

Pas afërsisht një viti e gjysmë nga koha kur ishte mbajtur seanca e parë gjyqësore, sot Gjykata e Gjilanit ishte paraparë të vazhdojë gjykimin  ish asistentit të kryesuesit të Kuvendit Komunal të Kllokotit Vllasta Bogdanoviq.

Bogdanoviq po akuzohet se vodhi dhjetë litra naftë të paguara nga komuna.

Kujtojmë se shqyrtimi fillestar në këtë rast është mbajtur më 10.12.2019, e që nga atëherë nuk është mbajtur as edhe një seancë gjyqësore në këtë rast.

Sipas të Kodit të Procedurës Penale thuhet se “Gjatë shqyrtimit fillestar, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues cakton shqyrtimin e dytë jo më herët se tridhjetë (30) ditë pas shqyrtimit fillestar dhe jo më vonë se dyzet (40) ditë pas shqyrtimit fillestar”.

Tutje në seancë, pas leximit të aktakuzës nga Prokurori Agron Uka, i akuzuari Bogdanoviq tha se nuk e pranon fajësinë pasi sipas tij nuk mund të pranojë një vepër që nuk e ka kryer.

Në vazhdim u dëgjua dëshmitari Aleksandër Jacoviq , zyrtar policor.

“Në sektorin e krimeve Ekonomike kam punuar afërsisht për 5 vite dhe jam i njoftuar lidhur me rastin për të cilin jam ftuar të dëshmoj sot. Të gjitha veprimet që ne i kemi ndërmarrë janë të përshkruara në raportet që i kam dorëzuar në Prokurori. Lidhur me rastin konkret unë kam qenë në vendin e ngjarjes në Kllokot dhe e kemi intervistuar një dëshmitarë i cili e ka furnizuar me naftë të akuzuarin. Personi i cili e ka lajmëruar rastin ka dhënë vetëm informata lidhur me targat e vetures (private), dhe ka thënë se vetura është zyrtare por nuk e ka përmendur emrin e personit zyrtar”, tha dëshmitari Aleksander Jacoviq.

Tutje dëshmitari tha se një dëshmitar tjetër më i vjetër në moshë ka deklaruar në stacionin Policor në Kllokot se i akuzuari ka shkuar me veturë zyrtare dhe e ka plotësuar faturën për 70 litra naftë dhe se në veturë zyrtare i ka hedhur 60 litra kurse më vonë ka shkuar me veturë private dhe i ka hedhur 10 litra naftë të mbetura në faturë.

Pasi dy dëshmitarë nuk ishin prezent në gjykatë, seanca e sotme u ndërpre dhe e njëjta do të vazhdohet më 2 qershor.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari gjatë muajit prill të vitit 2019, në pompën e benzinës “Tina Petrol” në Kllokot, kishte regjistruar se e kishte mbushur veturën zyrtare me 70 litra karburant, ndërkohë që në rezervuar i kishte hedhur vetëm 60 litra. E gjitha kjo sipas Prokurorisë kishte ndodhur vetëm që i akuzuari Bogdanoviq vetes ti sjell dobi pasurore të kundërligjshme.

Aktakuza thotë se më vonë, Bogdanoviq kishte shkuar me veturën private të tipit “Renault” në të njëjtën pompë dhe kishte marrë 10 litrat e paguara nga buxheti i komunës, të evidentuara paraprakisht në faturë.

Kllokot, dështon seanca ndaj zyrtarit komunal që akuzohet se vodhi 10 litra naftë të paguara nga komuna