Pati ankesa për vonesa në nënshkrimin e kontratave, Dogana thotë se është duke verifikuar të kaluarën penale të kandidatëve në konkursin për 115 oficerë doganor

Dogana e Kosovës ka thënë se është duke verifikuar dëshmitë penale të kandidatëve në konkursin për 115 pozita për oficerë doganor.

Kandidatë të cilët i janë nënshtruar procedurave të rekrutimit për këto pozita, janë ankuar në KALLXO.com se Dogana e Kosovës është duke u vonuar për të përmbyllur procesin dhe nënshkruar kontratat.

Në një përgjigje për KALLXO.com zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, ka thënë se procesi i verifikimit të kandidatëve ka rezultuar me disa gjetje që kërkojnë nga Dogana e Kosovës të përjashtojë kandidatët me të dhëna për vepra penale.

“Ky është një hap i domosdoshëm dhe në përputhje me Kodin tonë të Etikës, si dhe angazhimin tonë për respektimin e integritetit dhe përgjegjshmërisë. Çdo vonesë ka ardhur si rezultat i përkushtimit për të siguruar përmbushjen e këtyre standardeve dhe jo për shkak të ndonjë gabimi procedural”– ka thënë Stavileci.

Ai ka thënë se kandidatët janë njoftuar me zhvillimet e procesit dhe se do të kontaktohen me kohë për nënshkrimin e kontratave dhe fillimin e trajtimit pas përfundimit të procesit të verifikimit.

“Pasi të përfundojnë proceset e verifikimit dhe të drejtës së ankesës, kandidatët që plotësojnë kriteret do të ftohen për nënshkrimin e kontratave dhe fillimin e trajnimit themelor. Përgatitjet për integrimin dhe trajnimin tashmë kanë përfunduar, duke siguruar një proces të qetë për rekrutët e rinj’ – ka thënë Stavileci.

Konkursi për 115 oficerë doganor është hapur nga ana e Doganës së Kosovës më 07.03.2024. Ndërsa lista e kandidatëve të përzgjedhur pas përfundimit të procedurave të rekrutimit, është publikuar me 24.09.2024.

Kandidatët e përzgjedhur ishin ankuar se me 22 nëntor ishte përcaktuar data për nënshkrimin e kontratave, por kjo sipas tyre, nuk kishte ndodhur.