Kreshnik Gashi, AKI

Pasuria e shefit të Inteligjencës

I pari i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Kreshnik Gashi, në deklarimin e pasurisë për vitin 2019, ka deklaruar se posedon në emër të përbashkët një shtëpi në vlerë prej 350 mijë euro të cilën e kanë blerë në vitin 1990 nga shitja e pasurisë së trashëguar dhe të fituar.

Gashi ka deklaruar se në emër të përbashkët posedon edhe një truall 1 mijë metra katrorë në vlerë prej 20 mijë eurove i cili është blerë në vitin 1970 dhe një tokë 10 mijë metra katror e blerë po ashtu në vitin 1970 në vlerë prej 35 mijë eurove.

Shefi i AKI-së ka deklaruar se posedon në emër të vetin edhe një veturë në vlerë prej 5 mijë eurove të blerë në vitin 2015 nga kursimet dhe ndërrimi me veturën paraprake. Ndërsa, ka deklaruar edhe një veturë në emër të bashkëshortes në vlerë 16 mijë euro të blerë në vitin 2018.

Drejtori i Inteligjencës kosovare ka vetëm 1 mijë euro para të gatshme në bankë. Ndërsa, 22 mijë euro i ka deklaruar si para të gatshme të bashkëshortes dhe 2 mijë e 700 të tjera të fëmijëve.

Para se të bëhej drejtor në AKI, Gashi ishte në krye të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Të hyrat vjetore nga ARKEP, Kreshnik Gashi i ka deklaruar 18 mijë e 600 euro.