Foto: ZKM

Pasuria e ministrit Hekuran Murati, deklaron mbi 39 mijë euro letra me vlerë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka deklaruar pasurinë e tij për vitin 2023 në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Sipas formularit të APK-së, Murati posedon katër letra me vlerë – aksione të shoqërive tregtare në kompani të ndryshme, tri prej tyre të blera në vitin 2014, ndërsa një tjetër në vitin 2020.

Murati ka deklaruar letra me vlerë në ‘Tesla Inc’ 26 mijë e 115 euro,  në ‘Allianz SE’ në vlerën prej 4 mijë e 123 euro, në ‘Volkswagen’ AG 3 mijë e 39, si dhe në ‘Netflix Inc’ në vlerë 6 mijë e 47 euro.

Si pasuri të paluajtshme, ministri i Financave ka deklaruar një banesë në vlerë prej 38 mijë euro dhe tokë në vlerë prej 23 mijë euro e blerë në vitin 2017 nga kursimet.

Para të gatshme, Murati ka deklaruar se ka mbi 16 mijë euro në dy banka në Kosovë.

Sa i përket posedimit të aksioneve në shoqëri komerciale, Murati ka deklaruar një Superprona Op, ku ka 50 për qind të aksioneve, dhe një biznes tjetër 99 Ngjyra OP, ku po ashtu ka 50 për qind të aksioneve.

Përveç këtyre, ai ka deklaruar 13 mijë e 60 euro 56 cent pagë neto që merr nga Qeveria, 924 euro mëditje si dhe devidentë vjetore më vlerë 270 euro.