Dardan Molliqaj, VV. Foto: Kallxo.com

Pasuria e kryetarit të porsazgjedhur të PSD-së, Dardan Molliqaj

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, tashmë kryetar i sapozgjedhur i kësaj partie, në Agjencinë Kundër Korrupsion për vitin 2019 ka deklaruar se jeton me qira.

Megjithëse, në deklarimin e pasurisë në AKK, Molliqaj ka deklaruar një shtëpi 250 metra katrorë nga kursimet në vlerë 60 mijë euro dhe 45 ari truall të trashëguar, që të dyja në pronësi të prindit.

Molliqaj ka deklaruar se posedon një veturë të tipit “Alfa Romeo” në vlerë 4 mijë euro, të cilën thotë se e ka blerë nga kursimet e pagës.

Ai 10 mijë e 233 euro i ka deklaruar si para të gatshme që i posedon në bankë.

Te të hyrat vjetore, Molliqaj ka deklaruar pagën vjetore që e ka marr si deputet në Kuvendin e Kosovës, në vlerë prej 2,017.97 euro, të hyrat e prindit – pension prej 2.040 euro nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) në Deçan si dhe mëditjet që vet Molliqaj i ka marrë nga Kuvendi i Kosovës, në vlerë prej 363 euro.

Dardan Molliqaj atë kohë ka deklaruar se ka mbajtur pozitat zyrtare: Deputet i Kuvendit të Kosovës, anëtar i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa dhe anëtar i Kryesisë në Partinë Socialdemokrate (PSD).

Sot ai është zgjedhur kryetar i PSD-së, me mbi 80 për qind të votave.

Zgjedhja e Dardan Molliqajt në krye të PSD-së, erdhi pasi Shpend Ahmeti dha dorëheqje nga kjo pozitë.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, PSD-ja kishte garuar në një listë të përbashkët me AAK-në e Ramush Haradinajt. Sipas rezultateve të KQZ-së, PSD ka mbetur jashtë Kuvendit të Kosovës.