Pasuria e katër kandidatëve për kryeministër të Kosovës: Çfarë kapitali kanë deklaruar?

Me 9 shkurt 2025 qytetarët e Kosovës do të vendosin se kush do t’i përfaqësoj në Kuvend e kush do të jetë kryeministër. Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje synon një mandat të tretë si shef qeverie, ndërsa Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës pretendojnë të udhëheqin ekzekutivin për herë të parë. Ndërkohë, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës synon të emërohet për herë të tretë në krye të qeverisë.

Për një muaj rresht secili prej tyre ka shpalosur programin zgjedhor duke dhënë premtime e duke u zotuar para qytetarëve, por cila është pasuria që ata e posedojnë. Kallxo.com sjellë të dhëna mbi të ardhurat, pasuritë dhe detyrimet financiare të tyre duke u bazuar në formularët e deklarimit të pasurisë të viti 2024, të cilët janë të qasshëm në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Kurti në shtëpi me qira dhe 2500 euro në bankë

Kurti që për herë të parë postin e kryeministrit e mori pas zgjedhjeve të datës 06.10.2019, kurse të dytin pas zgjedhjeve të 14.02.2021, ka të deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, 1 mijë e 551 euro e 72 centë si para të gatshme dhe paguan 250 euro qira mujore të shtëpisë.

Kryeministri aktual që synon të vazhdojë në këtë pozitë edhe për katër vjetët e ardhshme ka deklaruar se si pagë vjetore merr 19 mijë e 43 euro. Bashkëshortja e tij, sipas deklarimit të Kurtit ka pagë vjetore prej 528 mijë Krona. Ajo po ashtu ka në emër të saj një banesë në vlerë prej 400 mijë euro të cilën e ka blerë në vitin 2018 dhe në të njëjtin vit ka marr kredi prej 270 mijë euro.

Bashkëshortja e Kurtit ka 2 mijë e 500 euro kursime në bankë.

Kurti që udhëheq Lëvizjen Vetëvendosje e cila për herë të parë në zgjedhje mori pjesë në vitin 2010 dhe mori 12.69 për qind të votave, nuk ka të deklaruar në emrin e tij pasuri të luajtshme apo të paluajtshme.

Shtëpia dhe banesat e Hamzës

Bedri Hamza që garon për pozitën e kryeministrin nga radhët e PDK-së, e që më herët ka qenë dy herë ministër i Financave, Guvernator i Bankës Qendrore e deputet, ka të deklaruar një shtëpi në vlerë prej 25 mijë eurove e dy banesa në vlerë prej 116 mijë eurove.

Kryetari aktual i Mitrovicës që në zgjedhjet lokale të vitit 2021 fitoi me 53.7 për qind, ka të deklaruar tri garazha në vlerë prej 14 mijë e 700 eurove dhe tokë prej 1 hektarë në vlerë prej 50 mijë eurove.

Në emër të bashkëshortes së tij ka të deklaruar një banesë në vlerë prej 39 mijë euro.

Ish shefi i Grupit parlamentar të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, po ashtu ka të deklaruar në emër të tij një veturë Audi në vlerë prej 25 mijë euro dhe në emër të bashkëshortes një veturë Renault në vlerë prej 9 mijë euro.

Hamza që është edhe profesor në një universitet privat ka të deklaruar 7 mijë e 422 euro në bankë, kurse bashkëshortja e tij ka 1 mijë e 249 euro në bankë. Hamza në vitin 2021 ka marrë kredi në vlerë prej 10 mijë euro, kurse bashkëshortja e tij në vitin 2019 ka marr kredi prej 17 mijë euro.

Si kryetar i Mitrovicës, Hamza merr pagë vjetore prej 16 mijë e 574 euro e 16 centë kurse si profesor merr 9 mijë e 251 euro e 10 centë. Bashkëshortja e tij merr pagë nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë, në shumë vjetore prej 7 mijë e 178 euro e 94 centë.

Shtëpitë dhe banesa e Abdixhikut

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku që kryetar i partisë është nga viti 2021, sipas deklarimit të tij të pasurisë ka në posedim dy shtëpi në vlerë prej 350 mijë euro, tokë në vlerë prej 90 mijë euro dhe banesë në vlerë prej 260 mijë euro.

Tri herë deputeti i Kuvendit të Kosovës, në emër të bashkëshortes së tij ka të deklaruar një veturë Mercedes në vlerë prej 25 mijë euro.

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit në Qeverinë “Kurti 1”, ka të deklaruar 6 mijë e 719 euro në banka, kurse bashkëshortja e tij ka 876 euro kursime në bankë.

Abdixhiku që është edhe ligjërues në një universitet privat ka të deklaruar ‘over-draft’ në bankë në vlerë prej 2 mijë euro si dhe në vitin 2023 ka marr kredi të përbashkët në vlerë prej 115 mijë euro. Bashkëshortja e tij ka marr kredi në vitin 2022 në vlerë prej 29 mijë eurove.

24 mijë euro pagë vjetore prej universitetit privat ka deklaruar Abdixhiku kurse nga Kuvendi si deputet ka deklaruar 19 mijë e 17 euro pagë vjetore. Bashkëshortja e tij ka marr pagë vjetore prej 13 mijë e 200 eurove nga një kompani amerikane dhe 751 euro e 60 centë nga një Universitet privat në Kosovë.

Shtëpitë, vila dhe aksionet e Haradinajt

Dy herë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në deklarimin e tij të pasurisë ka thënë se ka tri shtëpi në vlerë prej 842 mijë euro e një tjetër në pronësi të përbashkët në vlerë prej 270 mijë euro.

Haradinaj që udhëheq me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ka të deklaruar vilë të përbashkët në vlerë prej 120 mijë eurove, tokë në vlerë prej 75 mijë eurove dhe një truall në vlerë prej 27 mijë e 300 eurove.

Veturë Cadillac në vlerë prej 19 mijë eurove ka në pronësi të tijën kurse bashkëshortja e tij ka në pronësi veture BMW në vlerë prej 8 mijë eurove.

Gjysmën e aksioneve në shoqërinë tregtare HCC sh.p.k ka në pronësi Haradinaj e që vlera në euro është 500, gjysmën tjetër të aksioneve i ka bashkëshortja e tij. Këto aksione i kanë përfituar në vitin 2019.

Para të gatshme Haradinaj ka deklaruar se i ka 16 mijë e 180 euro e 20 centë kurse bashkëshortja i ka 58 mijë e 882 euro e 93 centë. Kredi në shumë prej 150 mijë eurove ka marr Haradinaj në vitin 2016. Bashkëshortja e tij ka marr në vitin 2023 kredi në vlerë prej 30 mijë eurove.

Dy herë deputeti i Kuvendit të Kosovës ka deklaruar se pagë nga Kuvendi ka marr në shumën prej 20 mijë e 489 euro e 52 centë. Qira nga dy shtëpi në vlerë prej 78 mijë euro, si invalid lufte ka marr pagesë prej 2 mijë e 700 eurove dhe 10 euro si shpenzime reprezentative nga partia.

Bashkëshortja e tij nga puna me kontratë (nga qiraja e shtëpisë) ka marr 48 mijë euro, nga puna e saj në një TV privat ka marr 16 mijë e 904 euro e 96 centë, mëditje nga Bashkia e Tiranës dhe televizioni në vlerë prej 15 mijë e 809 euro e 30 centë dhe hua nga biznesi ku është bashkëpronare, në vlerë prej 50 mijë eurove.

Në lidhje me pasuritë e kandidatëve për kryeministër të Kosovës janë publikuar vazhdimisht video në rrjetin social TikTok, disa prej të cilave mund t’i gjeni KËTU, KËTU dhe KËTU.