Pasuria e ish-kryeshefit të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit Ilir Morina, i cili u arrestua për rastin 'Brezovica'

Ilir Morina, ish-Kreyshef i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit është në mesin e të arrestuarve në aksionin e sotëm nën dyshimet se është përfshirë në rastin e njohur si “Brezovica”.

Të arrestuarit e sotëm janë kryesisht ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe dyshohen se u përfshinë në lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri” në zonën e Brezovicës.

Njëri nga të arrestuarit është edhe Ilir Morina. I njëjti në Agjencinë Kundër Korrupsionit vitin e kaluar ka deklaruar një pasuri të paluajtshme në vlerë të 267 mijë e 742 eurove.

Në këtë pasuri, Morina ka deklaruar dy toka bujqësore, tokë ndërtimore, një shtëpi. Këto pasuri Morina i ka deklaruar si të përbashkëta me familjarë të tjerë.

Gjithashtu në AKK, Morina ka deklaruar edhe dy vetura. Njëra nga veturat e cila është në emër të Morinës ka vlerën e 9 mijë e 500 eurove, ndërsa një tjetër në emër të fëmijëve në vlerë të 5 mijë e 500 eurove.

Morina ka deklaruar edhe se fëmijët e tij kanë aksione në një kompani.

Në bankë në deklarimin e pasurisë së vitit të kaluar Morina ka treguar se mban 4 mijë e 815 euro kesh.

Ai madje ka deklaruar se ka marrë kredi 80 mijë euro për ndërtimin e shtëpisë.

Të hyrat vjetore të Morinës sipas deklarimit të vitit 2021, arrinin shifrën e 16 mijë e 156 eurove nga Universiteti në Pejë.

Ai tregon se nga paga mujore sekondare në Ministrinë e Mjedisit ka marrë 7 mijë e 27 euro ndërsa mëditje prej 497 eurove.

Morina tutje ka deklaruar edhe se nga 10 përqindëshi i Trust-it ka marrë 3 mijë e 297 euro.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi në lidhje me rastin e njohur si “Brezovica”.

Aksioni ‘Brezovica’, arrestohet Ilir Morina, ish kryeshef i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit