Pasuria e inspektorit të ri të AKI-së, para të gatshme mbi 47 mijë euro

Zyrtari i lartë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Zëvendës Ministrit në largim i Mbrojtjes, Burim Ramadani, sot është emëruar, Inspektor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Emërimin e Ramadanit e kanë bërë publike në njoftime të ndara vet shefi i tij i partisë, Ramush Haradinaj dhe Presidenti Hashim Thaçi.

Haradinaj ka thënë se në cilësinë e kryeministrit së bashku me Presidentin Thaçi kanë bërë emërimin e drejtorit dhe inspektorit të përgjithshëm të AKI-së gjatë ditës së sotme.

KALLXO.com u sjell pasurinë e Burim Ramadanit të deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Ramadani është zëvendësministër i Ministrisë së Mbrojtjes dhe ligjërues në Kolegjin ISPE.

Pasuria e paluajtshme e Ramadanit prek shifrën e 462 mijë e 200 eurove, ku në këtë pasuri hyjnë një shtëpi banimi, troje, tokë malore dhe një banesë, kjo e fundit e deklaruar në emër të Ramadanit ndërsa pjesa tjetër në emër të përbashkët dhe shtëpia në emër të babait.

Ramadani ka deklaruar edhe se bashkëshortja e tij posedon një veturë Touran vlera e së cilës është 7 mijë e 300 euro.

Gjithashtu Ramadani, ka deklaruar se bashkëshortja e tij posedon 100 përqind të aksioneve të “DAME Creative” kompani vetë-punësimi për prodhimin e kartolinave punëdore dhe organizimin e eventeve.

Ramadani gjithashtu ka deklaruar se posedon 47,815 euro para kesh, ndërsa ka kredi prej 14,809 eurove.

Të hyrat vjetore të Ramadanit nga pozita e Zëvendësministrit të Mbrojtjes kap shifrën e 13,800 eurove ndërsa nga Kolegji ISPE ai ka deklaruar se merr 3,340 euro.

Të hyrat e bashkëshortes së ti sipas deklarimit të pasurisë në AKK, janë 4,200 euro nga kompania e saj.

Gjithashtu Ramadani ka deklaruar se pensioni i prindërve prek shifrat e 10,140 euro.

Ramadani ka deklaruar edhe se gjatë vitit të kaluar ka marrë mëditje nga Ministria e Mbrojtjes në vlerë 1,751 euro.

Shpend Maxhuni, Drejtor i ri i AKI-së