Hykmete Bajrami, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit

Pasuria e Hykmete Bajramit që u bë ministre për herë të tretë

Deri pak orë kishte nën udhëheqje  Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, por me votimin e Qeverisë Hoti, Hykmete Bajrami do ta drejtojë Ministrinë e Financave.

Hykmete Bajrami ka qenë ministre edhe para se ta drejtojë Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Nga viti 2014 deri në vitin 2017 ajo ishte në krye të Ministrisë dhe Tregtisë.

Jeta politike e Bajramit filloi kur u zgjodh deputete në legjislaturën e katërt të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku shërbeu si anëtare e Komisionit për Buxhet dhe Financa. Në qershor të vitit 2014, ajo u rizgjodh deputete e legjislaturës së pestë të Kuvendit të Kosovës.

Pasi lëshoi mandatin si ministre e Tregtisë në vitin 2017, ajo u bë përsëri deputete e LDK-së në legjislaturën e gjashtë.

Bajrami u diplomua në vitin 2000 në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të  Prishtinës, në fushën e “Menaxhimit dhe Informatikës”.

Ndërsa, studimet e magjistraturës i përfundoi në Universitetin Stafordshire, Angli, më 2003 si bursë e “OSI Staffordshire University FCO”.

Kurse, në vitin 2006 ajo filloi doktoratën në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Ekonomik, ku u diplomua më 2011.

Bajrami është anëtare e stafit akademik të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës që nga viti 2004.

Që nga viti 2007, Bajrami ishte anëtare aktive e Këshillit të Ekspertëve nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke u përqendruar kryesisht në çështjet ekonomike.

Në bazë të biografisë së saj, Bajrami ka një përvojë të gjatë në organizata ndërkombëtare dhe vendore. Në periudhën midis 2000 dhe 2002, ajo punoi për Departamentin e Tregtisë dhe Industrisë – BE / UNMIK.

Gjatë viteve 2003-2007, ajo ka punuar për Agjencinë e Mirëbesimit të Kosovës për të vazhduar më tej me Agjencinë Suedeze të Zhvillimit Ndërkombëtar deri në vitin 2009.

Kurse, në vitin 2010, Bajrami ka punuar si këshilltare në Bankën Botërore në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Pasuria e Hykmete Bajramit

Hykmete Bajrami nga LDK-ja, në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion në vitin 2019, ka deklaruar një shtëpi dhe një banesë në emër të përbashkët, të dyja me vlerë 207 mijë euro, si dhe një banesë me vlerë 180 mijë euro në emër të bashkëshortit.

Bajrami ka deklaruar edhe dy vetura të tipit “Mercedes” me vlerë 31 mijë euro të dyja, të cilat ka theksuar se janë në pronësi të bashkëshortit.

2 mijë e 800 euro ajo i ka deklaruar si para të gatshme në bankë, si dhe 2 mijë e 561 euro në emër të bashkëshortit.

Ajo e ka deklaruar edhe një kredi në emër të bashkëshortit, me vlerë  80 mijë euro për blerje të veturës dhe banesës.