Pasuria e Drejtorit të Urbanizmit në Shtërpcë i cili u arrestua për ndërtimet në Brezovicë

Dimitrije Raçiqeviq, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Shtërpcës është arrestuar së bashku me ish-kryetarin e kësaj komune Bratislav Nikoliq nën dyshimet se janë të përfshirë në ndërtimet në Brezovicë.

Këto ndërtime po dyshohet se janë kryer me vepra penale, si dhënie e marrje ryshfeti, por edhe keqëprdorim të detyrës zyrtare.

Disa persona janë arrestuar edhe zyrtarë e pronarë kompanish në mëngjesin e sotëm.

KALLXO.com ju sjell pasurinë e drejtorit të Urbanizmit Dimitrije Raçiqeviq të deklaruar gjatë këtij viti në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Raçiqeviq ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë të 54 mijë eurove, një veturë në vlerë të 13 mijë eurove si dhe një kredi në vlerë të 10 mijë eurove në emër të bashkëshortes së tij.

Të hyrat për pozitën e drejtorit i ka deklaruar 7 mijë e 829 euro neto, bashkëshortja e tij 4 mijë e 800 euro, ndërsa ka deklaruar edhe të hyrat e prindërve.

Sipas deklarimit të pasurisë në AKK, prindi merr pension në Kosovë në vlerë të 2 mijë e 160 euro, ndërsa një pension tjetër të jashtëm në vlerë të 4 mijë e 680 eurove.

KALLXO.com raportoi edhe për pasurinë e ish-kryetarit Bratislav Nikoliq.

Deri sa KALLXO.com raportoi se ish-kryetarit të Shtërpcës i janë konfiskuar dy vetura njëra nga to ‘Gjip’ e tjetra e tipit ‘BMW’ me targa të Serbisë, në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Nikoliq ka thënë se ka vetëm një veturë vlera e së cilës është 65 mijë euro.

Në deklarimin e pasurisë së Nikoliq figuron edhe një banesë në vlerë të 50 mijë eurove ndërsa nuk ka raportuar pasuri tjetër të paluajtshme.

Në banka të caktuara, Nikoliq ka raportuar se ka 116 mijë e 98 euro kesh të gatshme.

KALLXO.com po raporton vazhdimisht për zhvillimet në aksionin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.

Pak minuta më parë janë sekuestruar dy vetura të ish-kryetarit Nikoliq.

KALLXO.com raportoi se dhjetë persona janë arrestuar në mesin e tyre, ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit të kësaj komune, disa zyrtarë dhe pronarë të kompanive nën dyshimet për dhënie e marrje ryshfeti e keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me ndërtimet në Brezovicë.

Gjatë mëngjesit KALLXO.com publikoi edhe pamje ekskluzive nga aksioni i Njësive Speciale në Shtërpcë.

Aksioni i cili po udhëhiqet nga Prokuroria e Ferizajt, ka të bëjë me veprat penale të korrupsionit me ndërtimet në Brezovicë.

Ky aksion sipas vet kryeprokurorit të Ferizajt Shukri Jashari, është ndër më të mëdhenjtë në luftën kundër korrupsionit.

Pasuria e deklaruar e ish-kryetarit të Shtërpcës, mbi 100 mijë euro para të gatshme në banka