Martin Berishaj, Foto:Facebook

Pasuria e ambasadorit Martin Berishaj, nuk figurojnë 600 mijë eurot që pretendohet t`i ketë marrë nga GEN-i

Martin Berishaj, Ambasadori i Kosovës në Kroaci ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Ai ka raportuar se gjithsej pasuri të paluajtshme ka 382 mijë euro, përfshirë këtu dy banesa, një shtëpi dhe një tokë.

Berishaj ka deklaruar në AKK se ka dy banesa në vlerë 230 mijë euro.

Ambasadori ka deklaruar se banesën e parë me sipërfaqe 92 m2 e ka blerë në vitin 2001 me të hyra dhe kursime të përbashkëta familjare, të cilën e ka nën pronësi të përbashkët.

Sipas raportit të AKK-së, banesë e dytë me të njëjtën sipërfaqe tokësore, Berishaj e ka blerë në 2006 me kursime për vetëm 50 mijë euro. Edhe këtë banesë ai e ka deklaruar nën pronësi të përbashkët.

Berishaj gjithashtu ka një shtëpi, të cilën e ka deklaruar si trashëgimi nga prindërit e cila ka vlerën 72 mijë euro. Sipërfaqja tokësore e kësaj shtëpie, të cilën e ka nën pronësi të përbashkët, është 170 m2.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci po ashtu ka edhe një tokë me sipërfaqe 62 mijë m2, për të cilën ka thënë se e ka trashëgimi nga prindërit, e cila kap vlerën e 80 mijë eurove.

Sa i përket pasurisë së luajtshme, Ambasadori Berishaj ka një veturë në emrin e tij dhe një nën pronësinë e bashkëshortes, që të dyja në vlerë 57 mijë euro.

Vetura Mercedes E 220, është deklaruar se është e Ambasadorit dhe është e blerë për 15 mijë euro me kursime.

Ndërsa, vetura Audi 8, e cila është nën pronësinë e bashkëshortes, e që po ashtu është blerë nga kursimet, kap vlerën prej 42 mijë euro.

Ambasadori Berisha së bashku me bashkëshorten kanë 25 mijë euro para të gatshme të mbajtura në institucione financiare në Lubjana.

Sipas raportit të AKK-së, Berishaj ka 15 mijë euro, ndërsa bashkëshortja e tij 10 mijë euro.

Paga e Ambasadorit, të cilën e merr nga Ministria e Punëve të Jashtme është gjithsej 39 mijë e 936 euro, ndërsa paga e bashkëshortes së tij është 24 mijë euro.

Deklarimi i pasurisë nga ana e Berishajt është bërë më 29 mars 2022.

Ndërsa, pas më pak se një muaj, më 21 prill 2022, mediumi slloven “Planet TV” raportoi për aferën financiare të kryetarit të partisë Lëvizja për Liri, Robert Golob, e të cilën e ka titulluar si skandal të madh financiar.

Sipas këtij mediumi, ai është nën hetim financiar ndërkombëtar për shkak të dërgesave nga dega serbe e GEN-I (furnizuesi energjetik slloven), të cilat i kanë shkuar kompanisë private MB Consulting në Mal të Zi. Kompania MB Consulting e Berishajt supozohet se ka marrë 600 mijë euro, të cilat janë tërhequr vazhdimisht në para të gatshme.

Berishaj supozohet t’ia kthejë këto para Golobit, dhe ky i fundit duhet t’i investojë këto para në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.

Në anën tjetër, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, kishte mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai i ka bartur para ‘cash” rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.

Vetëm pas një dite, zyra e presidentes së Kosovës kishte njoftuar se presidentja, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga ambasadori Martin Berishaj një raport me shkrim për artikullin e publikuar në një media në Slloveni.

Po ashtu, ishte kërkuar që ai të vijë në Kosovë për të sqaruar situatën.

“Njoftojmë qytetarët se presidentja tashmë ka kërkuar, në komunikim me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që nga ambasadori Berishaj të kërkohet raport me shkrim lidhur me artikullin në një medie në Slloveni dhe po ashtu që ambasadori Berishaj të thirret në Kosovë për të sqaruar situatën”, thuhej në njoftim të Presidencës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte deklaruar se i beson deklaratave të ambasadorit të Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj, i cili i ka mohuar raportimet e mediave sllovene se ai është përfshirë në një skandal financiar në Slloveni.

Sipas Osmanit, nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë “por thjesht është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do të ndjek të gjitha rrugët ligjore”.

Në anën tjetër, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, në emisionin “KallxoPernime” kishte thënë se deri më 7 qershor 2022, ambasadori Berishaj nuk është intervistuar nga ana e tyre për këtë çështje.

“Martin Berishaj nuk ka pasur nevojë të intervistohet prej neve. Ne kemi marrë dokumentet për secilin pretendim që e kemi pasur ne dhe i kemi marrë konfirmimet, por jo prej tij. Nëse kemi nevojë për ndonjë konfirmim shtesë ose për ndonjë sqarim do e kontaktojmë”, kishte thënë drejtori i AKK-së.

Ai tutje kishte treguar se janë në përfundim të mbledhjes së informacioneve brenda territorit të Kosovës.

“Jemi gati në përfundimin e mbledhjes së informatave brenda vendit. Për këtë shumë shpejt do të dalim me vendimin tonë”, pati thënë Buleshkaj.